Pas rastit të dhunës në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, reagimet institucionale dhe publike u shtuan, gjë që tregon ndjeshmëri sociale dhe shqetësim profesional, por reagimi pas ngjarjes nuk mjafton sepse shoqëria jonë vazhdon të reagojë vetëm kur dëmi ka ndodhur, kur pasojat janë bërë publike dhe kur kërkohet një fajtor.
Parandalimi është strategjia më efektive sesa ndërhyrja pas krizës, sepse edukimi parandalues e ul rrezikun, politikat parandaluese reduktojnë dhunën dhe prania funksionale e psikologëve shkollorë ndikon drejtpërdrejt në klimën emocionale të shkollës, ndërkohë që trajnimi i mësimdhënësve për menaxhimin e stresit dhe konfliktit mbron njëkohësisht nxënësit dhe vetë stafin. Protokollet e qarta parandaluese krijojnë siguri, ndërsa heshtja institucionale para rasteve krijon terren për përsëritje.
Shkrimet dhe mesazhet vetëdijësuese duhet të ekzistojnë para krizës, sepse mesazhet paralajmëruese ndikojnë në sjellje dhe fushatat parandaluese krijojnë standarde, ndërsa reagimi emocional pas ngjarjes sjell vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk prodhon ndryshim strukturor. Shoqëria jonë ka ngecur në reagim dhe fajësim, model i cili nuk e ul dhunën por e normalizon ciklin e saj.
E njëjta skemë përsëritet te dhuna ndaj grave, te aksidentet, te vrasjet dhe te vjedhjet, sepse flasim shumë pas tragjedisë dhe heshtim para saj, ndërkohë që përgjegjësia profesionale kërkon veprim të hershëm, politika parandaluese, investim në shëndet mendor dhe edukim sistematik, jo vetëm reagim publik pas faktit.
Shkruan: Dr. Latif Hoxha PhD – Specialist Psikolog Klinik
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online














































