Shoqata e Transportit Rrugor nuk do të zbatojë vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për uljen e çmimit të biletave të autobusit për 50 për qind për fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët.
Këtë për Klankosova.tv e tha kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, i cili shtoi se ky vendim edhe më shumë e rëndon gjendjen e transportuesve, sidomos pas rritjes drastike të çmimit të naftës.
“Si shoqatë, e kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim, si dhe si i tillë ai nuk do të gjejë zbatim nga operatorët ekonomikë. Ky vendim është plotësisht në kundërshtim me Ligjin e Transportit, por edhe shumë ligjeve tjera,” tha Kurtishaj.
Kurtishaj, mes tjerash, thotë se vendimi në fjalë do të implementohet vetëm nëse ministria nxjerr udhëzim për subvencionim.
Klankosova.tv ka kontaktuar me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hysen Durmishi, i cili tha se vendimi mbetet i pandryshuar dhe ata që nuk e zbatojnë këtë vendim do të gjobiten.
“Kjo çmimore hyn në fuqi menjëherë dhe mbetët e tillë deri në normalizimin e çmimeve të derivateve të naftës. Nuk ka ndryshim të këtij vendimi, inspektorët do të dalin në terren dhe në rast se kjo çmimore nuk është respektuar për kategoritë e specifikuara, atëherë do të ketë gjoba dhe do të ndëshkohen kompanitë që nuk e përfillin këtë vendim”, tha Durmishi për Klankosova.tv.
Durmishi madje për këtë vendim thirret edhe në ligj.
“Ky vendim është i bazuar në nenin 22, paragrafi 3, të Ligjit për Transportin dhe se ky vendim është obligativ për të gjitha kompanitë e linjave ndërurbane”, tha ai.