Një ngjarje shokuese në qytetin e Verias ka tronditur opinionin publik në të gjithë Greqinë. Natën e ndërrimit të viteve një grua 29 vjeç ka hedhur në ujërat e lumit Aliakmona foshnjën e saj vetëm 11 muajshe.
Trupin pa jetë të fëmijës kanë gjetur kalimtarë pranë digës së këtij lumi dhe kanë lajmëruar menjëherë organet e policisë.
Foshnja fatkeqe kishte lindur në janar të vitit 2022 dhe ishte një fëmijë jashtë martese, por që e kishte njohur babai i saj. Nëna e fëmijës ka pasur probleme të rënda psikologjike dhe ka qenë e shtruar në institucionet psikiatrike, të paktën dhjetë herë, bëjnë me dije mediat vendase, ndërsa së fundmi kishte ndërprerë mjekimet.
Natën e ndërrimit të viteve, u largua nga shtëpia e prindërve ku jetonte me ta, në fshatin Stavros të Imathias, bashkë me fëmijën. Ajo u kthye ditën e Vitit të Ri, por pa foshnjën dhe pyetjeve të vazhdueshme të prindërve nuk u jepte përgjigje të qarta.
Të tronditur, ata kanë lajmëruar policinë, ku kanë sqaruar plotësisht situatën e vajzës së tyre dhe 29-vjeçarja është dërguar në policinë e qytetit Veria, ku gjatë hetimit ka pranuar aktin e saj dhe është arrestuar për vrasjen e fëmijës së saj.
Ajo vetë, sipas deponimit, e kishte çuar foshnjën në zonën e digës së Aliakmonasit dhe e kishte hedhur në ujërat e akullta të lumit. Pas këtij veprimi, ajo ka shkuar në Aleksandri dhe ka qëndruar në një hotel natën e ndërrimit të viteve.
Ndaj nënës së fëmijës e cila është e ndaluar për veprimet e saj, është ngritur padia përkatëse dhe pritet që të paraqitet në Prokurorinë kompetente. Gjithashtu pritet të zhvillohet edhe një hetim se si është lejuar një nënë e tillë me probleme kaq të rënda psikologjike të rrisë një fëmijë pa ndihmën e organeve përkatëse.