Një vrimë e zezë ultramasive rreth 30 miliardë herë më e madhe se masa e Diellit është zbuluar nga astronomët në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkencëtarët në Universitetin Durham thanë se vrima e zezë gjigante ishte një nga më të mëdhatë e gjetura ndonjëherë. Ekipi i përshkroi gjetjet e tyre si “jashtëzakonisht emocionuese”.
Vrimat e zeza ultramasive janë objektet më masive në univers, me masën midis 10 miliardë dhe 40 miliardë herë më shumë se masa e Diellit. Astronomët besojnë se ato mund të gjenden në qendër të të gjitha galaktikave të mëdha, siç është Rruga e Qumështit.
Këto vrima janë të rralla dhe të pakapshme, dhe origjina e tyre është e paqartë. Disa besojnë se ato u formuan nga bashkimi ekstrem i galaktikave masive miliarda vjet më parë, kur universi ishte ende i ri.
Studiuesit përdorën një fenomen të njohur si lente gravitacionale, në të cilën një galaktikë e afërt veproi si një xham zmadhues gjigant. Kjo zbuloi praninë e vrimës së zezë, një rajon ku tërheqja e gravitetit është aq e fuqishme sa që as drita nuk mund të shpëtojë, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Shkencëtarët përdorën simulime superkompjuterike në universitet dhe imazhe të kapura nga teleskopi hapësinor Hubble për të konfirmuar madhësinë e saj.