Shkencëtarët gjejnë lëngun që bën mrekulli me hipertensionin, ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës

0
186

Një lëng i veçantë, me teksturë të përqendruar, që vjen nga një larmi e caktuar kumbullash duket se është përgjigja për trajtimin e presionit të lartë të gjakut, një gjendje që prek dhjetëra mijëra njerëz dhe kërcënon shëndetin në mënyra të ndryshme.

Korrelacioni i ri shkencor është analizuar në një studim të publikuar në Hypertension Research.

Përkundër faktit se sot ekzistojnë disa trajtime, shumë njerëz janë ende në rrezik për shkak të hipertensionit, i cili është shoqëruar nga komuniteti shkencor me rreziqe të ndryshme shëndetësore, si sulmi në zemër, goditje në tru dhe dështimi i zemrës.

“Ilaçet nuk janë të mjaftueshme për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare te pacientët me hipertension,” tha studiuesi kryesor Satoru Eguchi, një profesor në Qendrën e Kërkimeve Kardiovaskulare, Qendrën Kërkimore të Trombozës Sol Sherry dhe Qendrën Kërkimore të Sëmundjeve Metabolike në Shkollën e Mjekësisë, Lewis Katz. “Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi, ne studiuam efektet e mundshme që bainiku-ekisu, një koncentrat japonez i lëngut të kumbullës, mund të ketë në reduktimin e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare,” shpjegoi ai.

Është një frut i quajtur Umeboshi, (një lloj kumbulle jeshile aziatike). Në formën e tij të papërpunuar, përmban toksina që e bëjnë atë të papërshtatshëm për konsum të sigurt. Për këtë arsye, njerëzit zakonisht e përpunojnë Ume-në, duke e shtuar atë në lëngje ose verëra, me qëllim që ta konsumojnë atë në mënyrë të sigurt dhe të marrin të gjitha përfitimet e vlefshme që ajo ofron për shëndetin e njeriut. Madje thuhet se ky frut i veçantë konsumohej nga samurai si tonik për trupin e tyre para çdo beteje.

Bainiku-ekisu, lëngu i koncentruar i marrë nga frutat, nuk është një shpikje moderne. Ajo është konsumuar në Japoni si një shtesë shëndetësore që nga shekulli i 18-të.

Disa prova sugjerojnë se ky lëng mund të jetë mbrojtës kundër sëmundjeve të zemrës. Një seri studimesh eksperimentale, të cilat ekzaminuan muskujt e lëmuar në enët e gjakut, arritën në përfundimin se ky lëng ishte në gjendje të pakësonte shenjat hipertensive të angiotensin II, një hormon qarkullues që luan një rol kyç në presionin e lartë të gjakut.

Për të kuptuar më mirë efektin e këtij lëngu në trajtimin e hipertensionit, Dr. Eguchi, në bashkëpunim me dr. Hirotoshi Utsunomiya, një profesor në Departamentin e Rehabilitimit të Universitetit Osaka Kaëasaki, përdori një grup minjsh laboratorikë, duke injektuar angiotensin II në trupin e tyre, për t’i bërë ata hipertensionistë. Më pas, disave prej tyre i jepej ujë me bainiku-ekisu dhe pjesës tjetër ujë i pastër.

Studiuesit zbuluan se koncentrati japonez i lëngut të kumbullës mbron sistemet vaskulare të kafshëve nga dëmtimi i shkaktuar nga angiotensin II. Përveç kësaj, hipertrofia e aortës në zemër, ishte minimale në krahasim me kafshët që merrnin vetëm ujë. Koncentrati gjithashtu dobësoi infiltrimin e qelizave të sistemit imunitar që normalisht do të çonte në inflamacion, i cili gjithashtu lidhet me hipertensionin.

Duke dashur të shpjegojnë se si ky lëng i veçantë mund të parandalojë hipertensionin, studiuesit hetuan rrugët molekulare të përfshira në glikolizë, procesi i zbërthimit të glukozës, i cili përfshihet në hipertrofinë e shkaktuar nga hipertensioni.

“Tek njerëzit me hipertension, qelizat kalojnë nga metabolizmi aerobik në glikolizë sepse ka më pak oksigjen të disponueshëm në mjedisin qelizor”, shpjegon Dr. Eguçi. “Kjo rezulton në nivele të larta të stresit oksidativ, duke çuar në më shumë inflamacion, ngurtësi më të madhe vaskulare dhe në fund të fundit zhvillimin e sëmundjeve më të rënda kardiovaskulare.”

Prandaj, studimi zbuloi se lëngu i koncentruar ishte në gjendje të parandalonte me sukses kalimin e qelizave në glikolizë, duke sugjeruar se ai siguron mbrojtje duke kufizuar ndryshimet e dëmshme metabolike. Dr. Eguchi dhe kolegët e tij mezi presin të identifikojnë komponimet e sakta pas efekteve mbrojtëse.

“Mund të ketë dy ose tre përbërës që punojnë së bashku, gjë që mund të shpjegojë pse lëngu i ume është kaq i popullarizuar si një shtesë shëndetësore,” thotë Dr. Eguçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here