“Shkelje e Kushtetutës dhe shantazh”, “Sulm direkt ndaj demokracisë” – reagimet e opozitës pasi Kurti në Kuvend refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të tyre

0
226

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit nuk ju ka përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës çka ka ngjallur reagime të shumta nga këta të fundit.

Kurti në seancë tha se për shkak që nuk votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, asnjë nga deputetët që bëjnë pyetje, nuk do të kenë përgjigjen e tij, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare, të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet nuk do ta kenë përgjigjen time edhe pse tashmë i kam të përgatitura. Duhet të jemi kolegë të të njëjtit shtet e jemi kolegë të të njëjtit shtet nëse bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit shtetëror. Nuk ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që është përgjigjur më shpesh e më përpikëri në pyetjet parlamentare. Rrjedhimisht atëherë kur do të jeni deputete e Kuvendit të Kosovës, vetëm atëherë unë do të përgjigjem në pyetje parlamentare”, është shprehur Kurti në Kuvend.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se kundërshtimi i kryeministrit Albin Kurti të përgjigjet ndaj pyetjeve të opozitës është shkelje e Kushtetutës dhe shantazh.

Gashi tha se në seancat e radhës do të marrin pjesë.

“Sot për herë të par në parlamentarizmin e Kosovës, refuzon të përgjigjet pyetjeve të deputetëve të opozitës. Kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe shantazh. Ky tentim për detyrim ndaj deputetëve është i papranueshëm. Po hyjnë në një sistem të paraparë. Sjellja e sotme është ogur i keq për demokracinë tonë. Është nivel i ri të demokracisë dhe me sjelljen e arrogancës e kryeministrit ne e lëshuam seancën”, u shpreh Gashi.

Kryetari i PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media tha se kjo sjellje e kryeministrit ishte sulm direkt ndaj demokracisë parlamentare në Kosovë, sepse mandati i deputetit është i garantuar dhe askush nuk mund t’ua përcaktojë rregullat në vendin e tyre të punës.

“Pyetja parlamentare është një nga instrumentet e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili e shfrytëzon për llogaridhënie nga Qeveria, nga kryeministri, ministrat, zëvendësministrat e kështu me radhë. Sjellja sot e kryeministrit të Republikës së Kosovës ishte një sulm direkt ndaj demokracisë parlamentare në vendin tonë, Nuk ka ndodhur asnjëherë, është e paprecedentë. Nuk e keni asnjë rast të vetëm kur kryeministri del dhe ju thotë deputetëve që unë kam vendosur mos të ju përgjigjem deri në momentin kur ju do ta bëni një veprim tjetër”, theksoi ai.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka thënë se Kurti në këtë mënyrë po mundohet t’i fshehë dështimet e Qeverisë duke ikur nga përgjegjësitë.

“Në shenjë proteste sot lëshuam seancën e Kuvendit. Të detyruar sigurisht! Është e turpshme që një kryeministër i kushtëzon deputetët e opozitës për mospërgjigje në pyetjet tona nëse nuk i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare. Kryeministri dhe ministrat e tij e kanë obligim llogaridhënien dhe transparencën për qytetarët dhe nuk mund të fshihen me arsyetimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Mjaftë i mshefët dështimet tuaja duke ikur nga përgjegjësitë”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

Kurse deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se Kryeministri Albin Kurti e cenoi rendin kushtetues të Kosovës kur refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve joparlamentarë.

Sipas Hotit, ky lloj kushtëzimi është shantazhim dhe përbën “diktaturë hibride në sisteme demokratike”, shkruan Reporteri.net.

“Fatkeqësisht, ky veprim është sulm ndaj ndarjes së pushteteve dhe hierarkisë kushtetuese të institucioneve. Ky lloj shntazhi ndaj deputetëve është diktaturë hibride në sisteme demokratike. Është fatkeqe për demokracinë tonë që përjetojmë situata të tilla, ku deputetët e mazhorancës bëhen pjesë e kësaj maskarade parlamentate”, ka shkruar Hoti.

Kurse deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka shpërthyer në kritika ndaj vendimit të kryeministrit Albin Kurti de kabinetit qeveritar që të mos përgjigjen në asnjë nga pyetjet parlamentare të parashtruara nga opozita, derisa ata t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Musliu tha se kjo është një përpjekje për ta instaluar diktuarën në Kuvendin e Kosovës.

“Me ardhë Qeveria e me na qit kushte në Parlament deputetëve të zgjedhur të popullit, kjo është diktaturë. Kjo është diktaturë, por s’do të lejojmë që të instalohet diktatura këtu. Pyetjen parlamentare e kam bërë për Xhelal Sveçlën, por meqë Xhelal Sveçla s’ka ardhë me protestu e me ja majtë zhagun Albin Kurtit këtu, unë pyetjen s’po e bëjë, por po i bëjë thirrje Xhelal Sveçlës, mblidhe kabinetit nga ‘Belvedere’ e bire në Prishtinë, e leje policinë të qet t’i kryejnë detyrat e tyre”, ka thënë ajo.

Partia Demokratike e Kosovës është zotuar se në Kuvendin e Kosovës nuk do të miratojnë asnjë nismë nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, përfshirë këtu edhe marrëveshjet ndërkombëtare. Rezerva kanë shprehur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kësisoj koalicioni në pushtet nuk po arrin që t’i sigurojë numrat për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për t’u ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare nevojiten 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

Këto marrëveshje sipas Ligjit, i dorëzohen Kuvendit me iniciativë të vet ose pas propozimit nga Qeveria. /Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here