Shkarkohet Giresse nga posti i trajnerit të Kosovës

0
244

Alain Giresse më nuk është selektor i Përfaqësueses së Kosovës. Trajneri francez është larguar nga ky post të martën, një ditë pas humbjes së Kosovës nga Bjellorusia në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.

Kosova u mposht 2:1 në Budapest për t’i zbehur edhe më shumë gjasat për kualifikim eventual në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Në katër ndeshje të luajtura në këtë cikël eliminator, Kosova ka tubuar tri pikë dhe renditet e parafundit në Grupin I.

Largimi i Giresset ka ardhur pas takimit që e kishte në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku është diskutuar për shkëputjen e kontratës pas rezultateve jo të mira në këto kualifikime.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin që me marrëveshje të dyanshme me përzgjedhësin, Alain Giresse është vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit. Deri të ky vendim, vjen pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë (1:2). Federata e Futbollit e Kosovës e falënderon trajnerin Giresse për angazhimin dhe punën e tij gjatë periudhës sa ishte në krye të Kombëtares së Kosovës. Në të ardhmen priten reforma të mëtejshme në ekipin kombëtar”, thuhet në njoftimin e FFK-së. Tekniku francez kishte kontratë me Kosovën deri në fund të këtij cikli eliminator, i cili përfundon në fund të muajit nëntor, si dhe kishte opsionin e vazhdimit në rast se do ta kualifikonte Kosovën për “Euro 2024”.

Giresse u emërua selektor i Kosovës më 23 shkurt të vitit të shkuar, ndërsa nën drejtimin e tij, “Dardanët” kanë regjistruar vetëm katër fitore në të gjitha ndeshjet e luajtura. Ai zëvendësoi zviceranin Bernard Challandes të larguar. Në 14 ndeshje të luajtura me Giressen, Kosova ka regjistruar edhe 4 humbje e 6 barazime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here