Të prirë nga Goran Rakiq dhe Igor Simiq, qytetarë në Mitrovicën e Veriut kanë nisur peticionin për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq.
Ndërsa, në Leposaviq, sipas njërit prej iniciatorëve të peticionit, Vesellin Radoviq, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.
Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për nisjen e peticionit në Mitrovicë të Veriut, njoftoi qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.
Ajo ftoi qytetarët që të nënshkruajnë kërkesën për shkarkimin e kryetarit aktual të komunës, duke u bërë thirrje edhe drejtorëve të institucioneve që financohen nga Serbia dhe punonjësve të këtyre institucioneve, që kanë vendbanim në Mitrovicë të Veriut, të marrin me vete letërnjoftimet dhe të nënshkruajnë peticionin.
Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve prite të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.
Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.
Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.
Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.
Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.
E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.