Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha biletat për ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve mes Kosovës dhe Rumanisë, janë shitur.
“Ju njoftojmë se të gjitha biletat për ndeshjen e shumëpritur Kosovë – Rumani janë shitur! Faleminderit për mbështetje të jashtëzakonshme dhe entuziazmin tuaj të pafund”, thuhet në njoftim.
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Dardanët më 6 shtator në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ do të përballen me Rumaninë, e tri ditë më vonë me Qipron në Larnaca.
Këto dy ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupin 2 të Ligës C, e ku Kosova synon të tregojë vlerat e saj dhe të fitojë grupin për t’u promovuar në Ligën B.