Shitën prona me dokumente të falsifikuara, arrestohen katër persona për mashtrim mbi 1.5 milion euro

0
52

Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar katër persona me inicialet M.M., S.B., D.R., dhe B.Z., të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Në njoftim bëhet e ditur se M.M. dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ndërsa D.R. dyshohet edhe për veprën penale ‘Legalizim i përmbajtjes së rreme’.

Të pandehurit dyshohen se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke fshehur faktet relevante dhe duke e vënë në lajthim të dëmtuarin H.M, në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 1,578,180.00 euro.

“Prokurori i shtetit, ka nxjerrë urdhër ndalues të përkohshëm për parcelat përkatëse, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prona është shitur mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe është transferuar në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, nga Gjykata është kërkuar lëshimi i urdhrit ndalues përfundimtar për këto parcela, me qëllim të sigurimit të pronës deri në përfundim të procedurës penale.

Ndërkaq, Gjykata kompetente u ka caktuar të pandehurve M.M., S.B., D.R., dhe B.Z. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here