Zyrtarja e LDK-së në Prizren, Ajlin Shishko, ka reaguar ndaj ndalimit të papritur të renovimit të kulmit në një ndërtesë shumëbanesore tek “ish-zyret e magjistrales”, pavarësisht se aplikimi i banorëve ishte aprovuar nga Komuna, shkruan 04 Online.
Ajo tha se arsyeja e dhënë, pretendimet e disa individëve të jashtëm për hapësirën, nuk është justifikim ligjor dhe se banorët po përballen me kushte të papranueshme për shkak të lagështisë dhe depërtimit të ujit.
Reagimi i plotë i Ajlin Shishkos
•Drejtuar Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinorë.
Në vitin 2024, Komuna hapi aplikimin për renovimin e kulmeve të ndërtesave shumëbanesore të vjetra, renovim e cila do të bëhet në vitin 2025. Banesa “tek ish-zyret e magjistrales”, duke i plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, aplikoi dhe aplikimi u aprovua. Mirëpo, papritur dhe pa asnjë arsyetim të vetëm zyrtar, punimet e kulmit në këtë ndërtesë u ndaluan.
Sipas komunës, arsyeja janë disa “persona” të jashtëm që pretendojnë hapësirën për interesa të tyre, madje duke ushtruar edhe presion me metoda të papranueshme. Por kjo nuk është as justifikim e as arsyetim ligjor. Askush nuk mund të jetë mbi institucionet. Një individ i vetëm nuk mund dhe nuk duhet të bllokojë zgjidhjen e një problemi jetik për banorët. Fatkeqësisht, kjo është bërë realiteti ynë.
Ndërkohë, ne që jetojmë në këtë banesë, përfshirë edhe mua si banore, po përballemi çdo herë që ka vërshime me lagështinë, me depërtimin e ujit dhe me kushte të papranueshme për jetesë.
Pyetja ime është…!
Çfarë vlere kanë aplikimet, kriteret dhe aprovimet, nëse në fund mbizotërojnë interesat e individëve të fuqishëm mbi të drejtën elementare të qytetarëve për të jetuar me dinjitet?
Lus që ligji të gjejë vendin e vet, dhe kërkoj nga organet kompetente të marrin masa urgjentisht. Banorët nuk mund të mbeten peng i mos–përgjegjësisë dhe pazareve. Komuna duhet të dëshmojë se qëndron në krah të qytetarëve, jo të interesave të ngushta.