Observatori i futbollit CIES ka publikuar ditën e sotme listën me 100 futbollistët më të mirë nën 21-vjeç, teksa pjesë e saj është bërë edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Armando Broja, i cili po shkëlqen këtë sezon me fanellën e Southampton në Premier League.
CIES ka marrë në analizë të gjithë futbollistët nën 21-vjeç, që luajnë në 32 ligat më të njohura europiane dhe Broja renditet i 13-i më i mirë, në listën prej 100 lojtarësh.
Lista kryesohet nga talenti anglez i Arsenalit, Bukayo Saka, për të cilin nënvizohet se aftësia kryesore është ajo e të depërtuarit në zonat kundërshtare nëpërmjet dy armëve më të forta si shpejtësia dhe teknika.
Nga ana tjetër, profili i Brojës përshkruhet si një “shënjestrues i portës”, duke evidentuar cilësinë më të mirë të shqiptarit, aftësinë për të goditur portën dhe për të shënuar gola.
Ky është një tjetër vlerësim për sulmuesin shqiptar, që ka tërhequr vëmendjen e mediave më të mëdha sportive me performancën e tij dhe në fund të sezonit pritet të rikthehet te Chelsea, klub që ka edhe pronësinë e kartonit të tij./SS