Një studim i ri sugjeron se shenjat e hershme paralajmëruese të mosfunksionimit të zemrës janë të dukshme në shumë pacientë të cilëve nuk u është thënë kurrë se kanë sëmundje të zemrës.
Kur studiuesit kryen skanime me ultratinguj në 448 pacientë me psoriazë, të cilët nuk ishin diagnostikuar me sëmundje të zemrës, ata zbuluan se gati një e treta – 31.5 për qind – kishin mosfunksionim koronar mikrovaskular, një gjendje në të cilën enët e vogla të gjakut në zemër nuk funksionojnë siç duhet.
Rezultati është rezerva e pamjaftueshme e rrjedhës koronare, një masë që tregon se sa i mirë është qarkullimi i gjakut nëpër arteriet koronare që mund të rritet kur nevojitet pas sforcimit.
Rezerva e dëmtuar e rrjedhës koronare shoqërohet me sulme në zemër dhe dështim të zemrës, raportojnë studiuesit në Journal of Investigative Dermatology.
Një formë më e rëndë e psoriazës dhe një kohëzgjatje më e gjatë e sëmundjes u shoqëruan me një gjasë të shtuar të mosfunksionimit mikrovaskular koronar, zbuluan ata.
Ka të ngjarë që inflamacioni i lidhur me psoriazë të shkaktojë dëme delikate në zemër, përfunduan studiuesit.
Trajtimi i hershëm dhe efektiv i psoriazës mund të rivendosë funksionin e duhur të enëve të gjakut dhe të zvogëlojë rrezikun e infarktit të miokardit në të ardhmen dhe dështimit të zemrës, tha në një deklaratë udhëheqësi i studimit dr. Stefano Piazzerico i Universitetit të Padovës në Itali, duke shtuar se nevojiten më shumë studime që të dihet më saktë për këtë problem.
Ndërkohë, doktor Piazerico tha se mosfunksionimi mikrovaskular duhet të diagnostikohet dhe të kërkohet në mënyrë aktive te pacientët me psoriazë, pasi kjo popullatë është veçanërisht në rrezik të lartë.