Shkencëtarët po zbulojnë çdo ditë e më shumë se shëndeti ynë fillon nga zorra. Brenda sistemit tonë tretës jeton një komunitet i gjerë mikroorganizmash, i njohur si mikrobioma e zorrëve, që luan një rol thelbësor në tretje, në forcimin e imunitetit dhe në mbrojtjen ndaj sëmundjeve.
Deri më sot, shumica e studimeve kanë treguar se një dietë e pasur me fruta, perime, drithëra integralë dhe arra ndihmon në mbajtjen e një mikrobiome të shëndetshme. Megjithatë, kërkimet e fundit tregojnë se nuk mjafton vetëm të hash ushqime të mira, rëndësi të madhe ka që këto ushqime të konsumohen në mënyrë të rregullt.
Një studim i ri i realizuar nga shkencëtarë në EPFL (École Polytechnique Fédérale de Lausanne) dhe në Universitetin e Kalifornisë në San Diego ka zbuluar se konsistenca në zakonet ushqimore është po aq e rëndësishme sa cilësia e ushqimit vetë. Studiuesit vunë re se ngrënia e parregullt e ushqimeve të shëndetshme mund të zhbëjë shumë nga përfitimet që ato do të sillnin ndryshe. Me fjalë të tjera, nëse një person ha shumë shëndetshëm për disa ditë dhe më pas kthehet te ushqimet e përpunuara për periudha të tjera, mikrobioma e tij nuk arrin të përfitojë plotësisht nga ushqimi i mirë.
Për ta provuar këtë, ekipi përdori aplikacionin MyFoodRepo, përmes të cilit mbi një mijë pjesëmarrës regjistruan çdo vakt që konsumonin, duke ngarkuar foto ose duke skanuar kodet e produkteve. Inteligjenca artificiale analizoi këto të dhëna në mënyrë objektive, duke shmangur problemin e zakonshëm që njerëzit shpesh nuk kujtojnë saktë çfarë kanë ngrënë. Më pas, përmes analizës së mostrave të feçeve, studiuesit arritën të parashikonin me saktësi deri në 85 për qind llojin e dietës që kishte ndjekur çdo person. Kjo tregon lidhjen e fortë midis asaj që hamë dhe mënyrës se si reagon mikrobioma jonë.
Rezultatet e studimit nënvizojnë se nuk është e mjaftueshme të konsumosh thjesht ushqime të shëndetshme. Po aq e rëndësishme është që ato të konsumohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të rregullt, në vend që të alternohen me zakone të pashëndetshme. Kjo ide mund të ndryshojë mënyrën se si formulojmë këshillat ushqimore në të ardhmen. Udhëzimet tradicionale fokusohen kryesisht në sasinë e frutave, perimeve apo ushqimeve të tjera, por tani duket se edhe ritmi dhe vazhdimësia e tyre duhet të bëhen pjesë e rekomandimeve zyrtare.
Në vazhdim të kërkimeve, shkencëtarët po studiojnë edhe ndikimin e aditivëve ushqimorë, si emulgatorët që përdoren gjerësisht në ushqimet e përpunuara, për të kuptuar se si këto përbërës ndikojnë në ekuilibrin e mikrobiomës. Këto studime pritet të ndihmojnë në përcaktimin e udhëzimeve të reja për një ushqyerje që ruan shëndetin e zorrëve dhe përmirëson mirëqenien e përgjithshme.