Kryetarja e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Maja Vukiçeviq, nuk do të votojë për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky është konkluzioni i mbledhjes së Bordit Kryesor të Partisë Popullore Demokratike.
Më parë, deputetja e DNP-së, Maja Vukiçeviq, tha se vota e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në KiE do të ishte “një goditje e drejtpërdrejtë me thikë pas shpine për Serbinë vëllazërore dhe mike”.
“Mund të kemi zëvendësuar Milo Gjukanoviqin, por praktikat e këqija të politikës së tij mbetën. E di që ka nga ata që besojnë se ‘kështu duhet të jetë’, por mendësia e nënshtruar duhet mposhtur gjithmonë dhe në çdo vend. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nuk do të deklarohet për pranimin e Kosovës në këtë seancë, por kurdo që kjo çështje të jetë në rend dite, nëse unë jam pjesë e delegacionit malazez, personalisht do të votoj kundër këtij vendimi”, tha Vukiçeviq, transmeton Novosti.
Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikolla Rakoçeviq, gjatë vizitës së delegacionit parlamentar nga Mali i Zi në Talin, tha se autoritetet malazeze po dërgojnë një mesazh të rrezikshëm për “devijim të vendit nga kursi euroatlantik”.
“Pas prishjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me BeH-në, gjatë vizitës së agjentit rus Dodik te kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq, tani pjesa ekstreme e qeverisë po shpall hapur ndryshime në politikën shtetërore ndaj Kosovës, përmes të paralajmëruarve, vota e përfaqësuesve të qeverisë kundër hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës”, u tha Rakoçeviq bashkëbiseduesve nga Shqipëria, Holanda, Lituania dhe anëtarët e delegacioneve të tjera.