Shtetet e Bashkuara kanë vendosur dy sisteme të reja kundërajrore Patriot në Poloni, në përputhje me angazhimin e saj për të mbrojtur territorin e NATO-s, tha sot një zyrtar i lartë i Pentagonit.
Këto sisteme kundërajrore, të vendosura zakonisht në Gjermani, u zhvendosën “me kërkesë” të autoriteteve polake, shtoi zyrtari i lartë, i cili dëshironte të mbetej anonim.
“Dy sisteme Patriot janë vendosur tani në Poloni. Nuk do të zbulojmë se ku janë. Por ato janë në Poloni dhe janë funksionale”, tha ai.
Patriot janë sisteme raketore që mund të kapin dhe shkatërrojnë raketa balistike, avionë dhe raketa lundrimi. Ato përdoren gjerësisht në Lindjen e Mesme.
“Është një vendosje thjesht mbrojtëse e një natyre parandaluese për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi të mundshëm kundër nesh dhe kundër forcave aleate,” tha zyrtari i lartë, duke kujtuar angazhimin e presidentit Joe Biden për të respektuar nenin 5 të Kartës së NATO-s, i cili thotë se të gjitha vendet anëtare ata duhet t’i vijnë në ndihmë një aleati në rast sulmi.
Lajmi vjen një ditë pasi Uashingtoni hodhi poshtë propozimin e Varshavës për të dërguar avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit rus në një bazë ushtarake amerikane në Ramstein për t’u dërguar në Ukrainë, pilotët e së cilës janë trajnuar për të operuar MIG.