Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë quajtur të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm lajmërimin e Milorad Dodikut për ndarje nga Bosnja. Ambasada e SHBA-së në Sarajevë ka reaguar pasi kreu i Republika Srpskas pas një mbledhjeje në Srebrenicë të enjten deklaroi se do të dalë me propozim pas 30 ditësh për “ndarje paqësore”.
Ambasada amerikane ka thënë përmes një deklarate se shkëputja e Republika Srpskas e vë integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin mulitetnik të Bosnjës e Hercegovinës në rrezik.
“SHBA-ja do t’i mbrojë ato, mes tjerash, duke i mbajtur përgjegjës për veprimet e tyre ata që i vënë këto në rrezik”, thuhet në deklaratë.
SHBA-ja ka përsëritur se Kushtetuta s’ia lejon asnjë entiteti të shkëputet dhe se Republika Srpska mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnjës. “Shkëputja e Republika Srpskas nuk do të thotë pavarësi e saj apo fund i Bosnje e Hercegovinës, por nënkupton fundin e Republika Srpskas”
“Dodiku dhe qeveria e Republika Srpskas janë përpjekur të justifikojnë këtë vendim bazuar në një sërë gënjeshtrash dhe dezinformatash të dizajnuara ta trembin publikun e RS-së që t’i ndjekin në këtë rrugë të rrezikshme. Veprimet e Dodikut e vënë në rrezik të ardhmen brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnjës, përfshirë Republikën Srpska, e do. Rruga e tij e propozuar do të sigurojë që banorët e Republika Srpskas, fëmijët dhe nipërit e tyre të mos kenë jetë paqësore, të begatë dhe demokratike që e meritojnë”, thuhet në reagim.