Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, ka shprehur shqetësimin e Washingtonit, për siç ka thënë, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, ka thënë Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.
“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimi [i grumbullimit të trupave ushtarake serbe], nuk mund ta them tani”, ka thënë ai.
Megjithatë, Kirby ka deklaruar se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.
Kirby ka shtuar se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Serbia t’i ulë tensionet.
Kirby ka thënë se incidentet e dhunshme, sikurse ai i majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe ai në Banjskë, paraqesin rrezik jo vetëm për personelin e sigurisë së Kosovës, por edhe të NATO-s.
“Ky cikël shqetësues i dhunës është përkeqësuar”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më herët ka kërkuar që autorët e krimit të “mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”.
Vuçiq, ndërkaq, më herët ka thënë se Blinken ka paralajmëruar masa ndaj Serbisë.
Të dielën e 24 shtatorit, një grup i armatosur e uniformuar serbësh vrau policin Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit. Nga përplasja pasuese mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur mbetën të vdekur dhe tre sulmues. Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash. Ish-nënkryetari i partisë serbe në Kosovë, Milan Radoiçiq, përmes një avokati ka pranuar se ka organizuar sulmin./REL