Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje me Ukrainën për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve të saj energjetike dhe minerale, pas muajsh negociatash të tensionuara.
Të dyja vendet janë pajtuar të krijojnë një fond investimesh për rindërtim, me qëllim të nxitjes së rimëkëmbjes ekonomike të Ukrainës pas luftës me Rusinë, raporton BBC, transmeton Gazeta Sinjali.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se kjo marrëveshje tregon përkushtimin e të dy palëve për paqe dhe mirëqenie të qëndrueshme në Ukrainë. Për Kievin, marrëveshja shihet si thelbësore për të siguruar ndihmën ushtarake amerikane.
Ukraina besohet të ketë rezerva të mëdha të mineraleve kritike si grafiti, titani dhe litiumi – elemente shumë të kërkuara për shkak të përdorimit të tyre në energjinë e ripërtëritshme, teknologjinë ushtarake dhe infrastrukturën industriale.