“Dëshira e Uashingtonit për stabilitet në Ballkan ka tejkaluar mbështetjen e tij për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, thotë Eliot Engel, ish-kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, në një shkrim të publikuar të martën në magazinën amerikane, Foreign Policy.
Në një shkrim autorial të publikuar në magazinën amerikane, Foreign Policy, Eliot Engel ndan përvojën e tij personale se si ish-kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe gjatë më shumë se 30 viteve në Dhomën e Përfaqësuesve ka ndjekur nga afër politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit.
“Kam qenë i kënaqur nga mbështetja e Uashingtonit për demokracinë, sundimin e ligjit dhe përpjekjet për ta luftuar korrupsion atje. Por, megjithëse në përgjithësi mbështes atë që po bën administrata e Presidentit Joe Biden brenda dhe jashtë vendit, kam shqetësime për trajtimin e mosmarrëveshjes së vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Departamenti i Shtetit”, thotë Engel.
Më tutje në shkrimin e tij Engel jep një historik të shkurtë, se si Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Evropës e njohën Republikën e Kosovës në vitin 2008, kur vendi i vogël shpalli pavarësinë nga Serbia. Më pak se një dekadë më parë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO ndaluan spastrimin e egër etnik të popullatës shqiptare etnike të Kosovës nga Slobodan Millosheviqi, shpjegon ai.
“Ishte një sukses i madh i politikës së jashtme për Perëndimin dhe u pasua nga vite të tëra të mbështetjes së fuqishme të SHBA-së për Kosovën. Por që atëherë, Serbia dhe Rusia kanë bllokuar përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara dhe për të fituar njohjen e plotë në mbarë botën, dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së kohët e fundit është dukur më pak i gatshëm për të mbështetur ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj”, shkruan Eliot Engel.
Duke vënë në pah kontekstin e ngjarjeve politike gjatë vitit të kaluar, Engel thotë se Kosova ka kërkuar të kryejë funksionet normale të qeverisjes brenda kufijve të saj vetëm për t’u përballur me dënimin dhe madje edhe ndëshkimin nga Shtetet e Bashkuara.
“Kur Kosova u përpoq që të gjithë qytetarët e saj, përfshirë serbët në veri, të përdorin targat e saj dhe jo ato të Serbisë, Departamenti i Shtetit kritikoi ashpër Kosovën. Kur Kosova kërkoi të kishte kryetarë komunash të zgjedhur siç duhet, të cilët ishin shqiptarë për shkak se serbët bojkotuan votimin, dhe filluan punën në zyrat e tyre në veri të Kosovës – një funksion themelor dhe normal i një qeverie demokratike – sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ‘dënoi ashpër’ republikën e re”, shkruan Engel.
Gjatë shkrimit të tij autorial, Engel ngre një varg pyetjesh.
“A e dënoi Uashingtoni presidentin serb Aleksandar Vuçiq për presionin ndaj serbëve të Kosovës që të bojkotojnë zgjedhjet? Jo. A e dënoi grupin e vogël të serbëve që sulmuan Forcën e NATO-s në Kosovë, duke plagosur 30 paqeruajtës? Mezi e bëri këtë. Ai dënoi dhunën, por nuk e bëri këtë me sulmuesit. A e dënoi Serbinë për nxitjen e qytetarëve serbë të veriut të Kosovës që të refuzojnë në mënyrë agresive përdorimin e targave të vendit ku ata jetojnë? Jo. A i ka dënuar veprimet e Serbisë kundër shqiptarëve etnikë në Serbinë jugore, të cilat, sipas Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, përbëjnë “spastrim etnik përmes mjeteve administrative”? Përsëri, mezi e bëri këtë.
Në fund, politikani i njohur amerikan e përmbyllë shkrimin autorial me konkludimin se në mosmarrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Uashingtoni është duke e qetësuar një ngacmues gjysmë autokratik – Vuçiqin – dhe rrjedhimisht është bërë vetë një ‘ngacmues’, duke urdhëruar e frikësuar një Kosovë më të vogël e më të cenueshme. Është një sjellje që është nën nivel për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është koha për të rikthyer qasjen e mëparshme”, e përmbyll shkrimin e tij Eliot Engel, për magazinën Foreign Policy./RTK