Gazetari dhe komentatori i njohur shqiptar, Dritan Shakohoxha e ka ngritur në qiell Edon Zhegrovën.
I ftuar në “Telesportal”, “Shako” u shpreh se Kosova dhe shqiptarët duhet të jenë të nderuar që e kanë të tyrin një lojtar të kalibrit të yllit të Lillet.
Sipas tij, 25 vjeçari duhet të ruhet si sytë e ballit dhe të trajtohet më mirë, në mënyrë që të shijohet loja e këtij djaloshi të artë.
“Zhegrovën na e ka dhuruar Perëndia, duhet ta ruajmë, ta rrethojmë, të jetë sa më i paprekshëm nga agjentët rreth vetes se është fat i paparë që Kosova, apo që një personazh si ai luan për shqiptarët.”
“Përveç se është super lojtar, është super profesionist, unë e njoh edhe personalisht. Është një nga ata çunat që i kalon pushimet e verës gjithmonë me prindërit, me familjen në Shqipëri, në bregdetin e jugut shqiptar, çdo vit. Rri 10 ditë, vetëm me familjen, as nuk është personazh faqesh të para, as personazh me misse e me yje, sigurisht që gjithë ai djalë i bukur mund të kishte edhe këtu suksese. Ja që ky djalë has që të luajë në vendin e shqiptarëve.”
“Raca e jonë e ka një problem të madh, nuk ta fal suksesin. Çdo njeri që është i suksesshëm duhet ta vëmë poshtë. Këta njerëzit që themi ne, këta drejtuesit e Federatave, në çdo shtet të Evropës nuk i njeh askush, por këta duan të dalin sipër. Zhegrova para nesh? Çfarë thu more burrë? Po ne jemi përpara Zhegrovës.”
“Fale Zot që luan për shqiptarët dhe ju lutem, kapërdijeni ndonjëherë që s’erdhi dot t’ju përqafonte ju përpara babait të vetë, lëreni t’i përqafojë më shumë babanë dhe nënën e vetë përpara drejtuesve të Federatës, që mos t’i përdheli ndonjë nga këta punonjësit e Federatës.”
“Kosova ka fat që e ka në skuadër, në Francë ngrihen në këmbë të gjithë dynjaja, u ngrit në këmbë i gjithë ai stadium në ndeshje me Real Madridin, tani këta burra i thonë: rrugaç, do të përjashtoj nga shkolla. Kë do ta përjashtosh Zhegrovën, po ça të bësh pastaj, do ta mbyllësh shkollën?”/Gazeta Express/