Kinematografia prizrenase po njeh një sukses të jashtëzakonshëm me projektin më të ri, “Përtej Varfërisë”, nga ‘Puls Media Production’, i cili që në publikimin e episodit të parë ka arritur të thyejë rekorde shikueshmërie, shkruan 04 Online.
Interesimi i madh i publikut për këtë serial është rritur ndjeshëm brenda një kohe të shkurtër, duke e kthyer atë në një nga projektet më të ndjekura aktualisht. Historia e fortë dhe temat sociale që trajton, si vuajtja, sakrifica dhe mbijetesa familjare, kanë bërë që shikuesit të lidhen emocionalisht me përmbajtjen.
“Përtej Varfërisë” sjell një rrëfim realist të jetës, duke reflektuar sfidat e përditshme dhe përpjekjet për të mbijetuar në kushte të vështira, çka duket se ka qenë një nga arsyet kryesore të suksesit dhe shikueshmërisë së lartë.
Në këtë projekt marrin pjesë aktorë të njohur si Bedi Kiqina, Hasan Murseli, Advan Halili, Blerim Gashi, Blenda Morina, Besnike Aliaj dhe Tiola Balaj, të cilët me interpretimet e tyre kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e interesimit të publikut.
Pas suksesit të katër episodeve, pritjet janë që edhe episodi i pestë dhe të tjerët në vazhdim të vazhdojnë të tërheqin një audiencë edhe më të madhe, duke e forcuar edhe më shumë pozitën e këtij seriali si një fenomen i ri në kinematografinë vendore./04 Online/














































