Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, për t’i kthyer deri në njëmijë trupa serbe në Kosovë.
Këtë iniciativë të tij e ka mbështetur edhe shefja e qeverisë serbe, Ana Bërnabiq, duke e përmendur rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Mirëpo ekziston një moment historik me të cilin të dy liderët serbë nuk janë të familjarizuar apo e kanë harruar.
Pas fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, e cila zgjati 78 ditë, lideri i atëhershëm serb Sllobodan Millosheviq i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, e pranoi kapitullimin dhe u pajtua që forcat e tij që kishin kryer masakra, dhunime seksuale dhe vrasje të civilëve, të largohen nga territori i Kosovës.
Si rezultat, trupat këmbësore të NATO-s përfundimisht zbarkuan në Kosovë dhe kështu u arrit çlirimi nga forcat serbe.
Një moment historik kur kërkohej largimi i menjëhershëm i të gjitha forcave serbe nga eprorët e NATO-s, është xhiruar dhe ekziston edhe tani.
Më 13 qershor të vitit 1999 në Prizren, komandanti gjerman, Helmut Harff, i tregonte oficerit serb se i kanë 30 minuta kohë që të largohen nga territori i Kosovës.
Serbi përpiqet që ta vazhdojë diskutimin, mirëpo gjermani e ndërpret dhe ia kujton se tani i kanë mbetur vetëm edhe 28 minuta kohë.
“Ju duhet të largoheni brenda 30 minutave. Ky është një urdhër. Ky është fundi i diskutimit, tani keni edhe 28 minuta”.