Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, dhe ish-kreu i UEFA-s, Michel Platini, janë shpallur sërish të pafajshëm nga një gjykatë zvicerane, duke u liruar nga akuzat për korrupsion, shkruan 04 Online.
Dhomat e Apelit të Jashtëzakonshëm të Gjykatës Penale Zvicerane në Muttenz, pranë Bazelit, vendosën të martën të konfirmojnë pafajësinë e dy figurave të njohura të futbollit global, dy vjet e gjysmë pas lirimit të tyre të parë në vitin 2022.
Çështja kishte të bënte me një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane (rreth 2.26 milionë dollarë) të bërë nga FIFA për Platinin në vitin 2011, për të cilën prokurorët zviceranë kishin ngritur akuza për mashtrim dhe keqmenaxhim. Megjithatë, si Blatter ashtu edhe Platini i mohuan pretendimet, duke argumentuar se pagesa ishte e ligjshme.
Vendimi i fundit përmbyll një betejë të gjatë ligjore, duke hedhur poshtë përfundimisht akuzat kundër tyre./04 Online