Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka thënë se gara zgjedhore që po zhvillohet në këtë komunë, duket si një përballje e pabarabartë, e zhvilluar me dy pushtete, qendror dhe lokal, shkruan 04 Online.
Selmanaj tha se përballja e tij politike nuk është vetëm me kundërshtarët e drejtpërdrejtë, por edhe me strukturat e pushtetit që, sipas tij, po përdorin mekanizma të ndryshëm për të ndikuar te qytetarët.
“Në garën për të parin e Prizrenit, unë nuk jam vetëm përballë dy kandidatëve – jam përballë dy pushteteve. Njërës që vjen nga niveli qendror, e që me gjithë makinerinë e saj politike e financiare, përpiqet ta zbarkojë në Prizren përmes premtimeve që gjithmonë kanë mbetur vetëm fjalë. Dhe tjetrës, që është këtu, në pushtetin lokal, me të gjitha mundësitë për të manovruar e për të ndikuar përmes buxhetit e propagandës.”
Megjithatë, kandidati i LDK-së theksoi se motivi i tij për të qenë në këtë garë është besimi në një politikë të ndershme dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve të Prizrenit.
“Por unë jam në këtë garë për një arsye më të madhe: sepse besoj se qytetarët e Prizrenit meritojnë një politikë të ndershme, të sinqertë dhe të përkushtuar. Një politikë që nuk përdor frikën e as paratë, por fjalën, punën dhe integritetin. Kjo është beteja jonë, beteja për një Prizren që shkon përtej pushteteve, përtej interesave, drejt një të ardhme që ndërtohet me vullnet e ndershmëri.”
Fushata për zgjedhjet lokale në Prizren po bëhet gjithnjë e më dinamike, ndërsa garuesit po shpalosin vizionet dhe qëndrimet e tyre për të ardhmen e qytetit./04 Online