Kandidati për Kuvendin Komunal të Prizrenit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, ka vizituar sot HANDIKOS, Qendrën e Rehabilitimit të Bazuar në Bashkësi, duke vlerësuar punën e palodhur të stafit dhe ndikimin e kësaj qendre në komunitet, shkruan 04 Online.
“Sot pata mundësinë të vizitoj HANDIKOS – Qendrën e Rehabilitimit të Bazuar në Bashkësi, një vend ku ndihma, përkushtimi dhe dashuria për njerëzit ndihen që në momentin e parë. Në këtë qendër, puna nuk matet me orë, por me buzëqeshjet dhe përparimin e atyre që marrin mbështetje çdo ditë,” ka theksuar Selmanaj.
Ai ka shtuar se ekipi i HANDIKOS është një shembull frymëzues i mënyrës se si humanizmi dhe profesionalizmi bashkohen për t’i dhënë kuptim fjalës solidaritet.
“Gjatë bisedës me stafin dhe përfituesit e shërbimeve, dëgjova histori që të prekin zemrën, histori për forcë, guxim dhe përkushtim për të ecur përpara, pavarësisht çdo sfide,” ka thënë ai.
Në fund të vizitës, Selmanaj falënderoi stafin e HANDIKOS për punën e tyre të palodhur dhe misionin fisnik, duke theksuar se ndërtimi i një shoqërie të drejtë dhe të përfshirë fillon nga mbështetja për njerëzit që kanë më shumë nevojë.
“Faleminderit nga zemra stafit të HANDIKOS për punën e palodhur dhe për misionin e tyre fisnik!” – përfundoi ai.