Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Driton Selmanaj, ka bërë publike planin e tij për revitalizimin e lumit Lumbardh, të cilin e ka quajtur “zemra e Prizrenit”, shkruan 04 Online.
Selmanaj tha se për më shumë se dy dekada ky lumë është lënë në mëshirë të ndotjes dhe krimit mjedisor, duke humbur shkëlqimin e tij natyror. Ai theksoi se derdhja e ujërave të zeza e ka shkatërruar dhe vazhdon ta dëmtojë këtë pasuri të çmuar, të cilën e konsideroi “një dhuratë të Zotit për qytetin”.
“Ky nuk është thjesht një problem teknik, por një padrejtësi e madhe ndaj brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë”, deklaroi Selmanaj.
Ai prezantoi projektin e LDK-së për Lumbardhin, i cili parasheh ndërtimin e kaskadave përgjatë 4 kilometrave, krijimin e shtigjeve për ecje dhe hapësirave rekreative, duke e shndërruar lumin në një oazë të pastër, të gjelbër e të gjallë.
“Ky është vizioni ynë: ta shpëtojmë Lumbardhin dhe t’ia kthejmë Prizrenit bukurinë që e meriton”, ka thënë Selmanaj.