Asambleisti i LVV-së në Prizren, Selman Sokoli, ka denoncuar publikisht një skandal urbanistik që lidhet me ndërtimin e “Euro Center” në zonën e mbrojtur të qytetit. Ai kujton se para një viti kishte marrë premtime për veprime ligjore ndaj këtij ndërtimi të dyshimtë, por sot objekti është përfunduar pa asnjë pengesë reale, raporton 04 Online.
Sipas Sokolit, heshtja dhe mosveprimi i zyrtarëve komunalë, nën drejtimin e kryetarit Shaqir Totaj nga PDK, dëshmon për bashkëpunim të heshtur dhe thellim të degradimit urban.
Ai bën thirrje për veprim nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Reagimi i plotë i Selman Sokolit:
Alarm publik për një skandal urbanistik në zemër të qytetit!
Para gati një viti, në mbledhjen e asamblesë komunale, i drejtova një pyetje drejtorit Islam Ukaj lidhur me ndërtimin e dyshimtë dhe të pretenduar si të paligjshëm të “Euro Center”.
Përgjigjja zyrtare që mora ishte kjo:
“Në lidhje me rastin e ‘Euro Center’ janë ndërmarrë të gjitha procedurat e parapara ligjore: përpilimi i procesverbaleve, aktvendim për ndalim të punimeve, vendosja e shiritave zyrtarë, dënime mandatore, aktvendim për rrënim vullnetar dhe kallëzim penal. Pala ka bërë ankesë dhe jemi në pritje të përgjigjes.”
Sot, gati një vit më vonë, ndërtimi ka përfunduar, pa asnjë pengesë reale, pa ndonjë veprim konkret për zbatim të ligjit. Heshtja, mosveprimi dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë apo indirekt i zyrtarëve të komunës që qeveriset nga një kryetar nga radhët e PDK-së, kanë shndërruar këtë rast në simbol të degradimit urbanistik në qytetin tonë.
Prizreni po përjeton një sulm të egër ndaj karakterit të vet historik dhe urban. Në zonën e parë mbrojtëse, aty ku ligji duhet të jetë më i ashpër, ndërtohet pa frikë, pa leje, pa përgjegjësi. Shaqir Totaj, kryetar i Komunës, siç duket preokupim të vetëm ka pasurimin e familjarëve të shefit të tij të kabinetit, kryetarit real të Prizrenit, Nehat Elshani, i cili po shpërndan grushe për çela e ‘ngela’ kah po mundet.
12 tetori është ende larg, dhe deri atëherë do të shohim edhe më shumë aksham pazare dhe marrëveshje në dëm të komunës sonë. Kjo qasje është e pafalshme dhe duhet të marrë përgjigjen që meriton, ligjërisht dhe qytetarisht!
PS: ndoshta është mirë që dosjes me ia lëshu një ‘shikim’ edhe Prokuroria Themelore Prizren.