Mesfushori shqiptar, Lindon Selahi, ka bërë hapin e radhës në karrierën e tij. Ai ka nënshkruar kontratë afatgjatë me klubin elitar polak, Widzew Lodz, e cila do të vlejë deri në vitin 2028, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër.
26-vjeçari i është bashkuar ekipit polak pas një aventure katërvjeçare me skuadrën kroate, Rijeka, ku ka qenë një nga figurat kyçe në mesin e fushës.
Në sezonin 2024/2025, Selahi zhvilloi 30 paraqitje në kampionat me Rijekën, teksa luajti edhe në gjashtë ndeshje të tjera në Kupën e Kroacisë dhe garat evropiane. Ai kontribuoi me një gol dhe dy asistime. Në total, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, ai ka regjistruar plot 153 ndeshje me fanellën e Rijekës.
Pasi firmosi me skuadrën e re, Selahi u shpreh i motivuar për këtë hap të ri në karrierë.
“Kisha nevojë për një sfidë të re dhe isha shumë i interesuar për idenë e ekipit që po krijohet këtu. E njoh shumë mirë edhe trajnerin, me të cilin kam punuar më parë dhe kemi folur shumë për klubin. Së pari luajta kundër tij kur ai drejtonte Goricën e pastaj ishim bashkë te Rijeka. Patëm bashkëpunim të mirë dhe një sezon të suksesshëm,” ka thënë ai për faqen zyrtare të klubit.