Pas dy aktakuzave që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur për gjykim në mungesë, tashmë ky institucion i drejtësisë pritet që shumë shpejt të ngrehë edhe aktakuza të reja në mungesë që kryesisht kanë të bëjnë me rastet e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, por edhe krime të tjera lufte të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në vend.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për KosovaPress udhëheqësja e departamentit për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari e cila u shpreh se për këto aktakuza kanë arritur të sigurojnë prova relevante.
Prokurorja Hajdari theksoi se aktualisht i ka në përgatitje tri aktakuza në mungesë për dhunë seksuale gjatë luftës.
“Do të kemi aktakuza të tjera sepse kemi raste në të cilat janë krijuar dhe përmbushur kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë. Nuk mund të precizoj numrin, por janë disa raste unë personalisht i kam në përgatitje edhe tri raste për dhunë seksuale gjatë luftës ku viktima ka arritur të identifikojë kryesin dhe në të cilat janë grumbulluar provat relevante për ngritjen e aktakuzës. Ka për të pasur edhe raste të tjera përveç dhunës seksuale gjatë luftës, unë dhe kolegët kemi raste të tilla të cilat pothuajse janë të gatshme për ngritjen aktakuzave në mungesë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, gjykimi në mungesë paraqet përmbushje të drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës, pasi arrihet të dokumentohet krimi i kryer.
“Ky gjykim në mungesë është një opsion i cili i ka pasur parasysh dhe ka respektuar në radhë të parë nevojat për satisfaksion të viktimave të krimeve të luftës si dhe për shkak të kalimit të kohës nga kryerja e këtyre krimeve nevojës për një drejtësi ndoshta jo përmbushje e plotë meqenëse i pandehuri nuk do të jetë i pranishëm, por në njëfarë mënyre paraqet një përmbushje të drejtësisë sepse edhe krimi dokumentohet përmes gjykimit në mungesë. Domethënë përmes provave të mbledhura Prokuroria do të tentoj që të bind gjykatën që krimi ka ndodhur”, theksoi Hajdari.
Hajdari deklaroi po ashtu se gjykimi në mungesë ka ofruar mundësi të gjykimi edhe kur nuk sigurohet prania fizike e atyre që dyshohet se kanë kryer krimin.
“Ngritja e aktakuzave në mungesë është një risi i cili na ka mundësuar Kodi i ri i Procedurës Penale dhe vjen në konsideratë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet për të gjetur të pandehurin. Deri më tani kemi ngritur aktakuza në të cilat kemi siguruar praninë fizike të të pandehurit e tash e tutje mundemi me i ngrit aktakuzat pasi që i grumbullojmë të gjitha provat lidhur me krimin e caktuar pa marrë në pyetje të pandehurin, pastaj i propozojmë gjykatën që të mbahet gjykimi në mungesë mirëpo gjithmonë mbetet opsioni që nëse ndërkohë arrestohet i pandehurit kundër të cilit është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar të gjykohet në praninë e tij”, u shpreh ajo.
Hajdari tha se me gjykimin në mungesë janë krijuar mundësi më të mëdha për ngritjen e aktakuzave për kryerësit e krimeve gjatë luftës.
Sipas saj, kjo ka qenë edhe arsyeja se pse Prokuroria Speciale ka ngritur për nga numri pak aktakuza pasi rastet janë proceduar vetëm kur është arritur sigurimi fizik i kryesit të krimit.
“Deri tani i kemi proceduar vetëm ato raste ku kemi arritur të sigurojmë praninë fizike të kryesit, për këtë arsye edhe kemi pasur një numër të vogël të aktakuzave sepse nuk kemi pasur mundësi të veprojmë ndryshe. Por tani është një situatë tjetër dhe ne po mundohemi me të vërtetë me bë maksimumin dhe më të mirën të mundur”, tha prokurorja Hajdari.
Udhëheqësja e departamentit për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka ngritur nevojën për shtimin e numrit të prokurorëve në këtë departament.
Sipas saj, numri prej katër prokurorëve nuk është i mjaftueshëm për procedimin e të gjitha lëndëve që kanë në dispozicion.
“Ende nuk kemi kapacitete të mjaftueshme, por shpresoj që në të ardhmen të rritet numri i prokurorëve… Katër jemi, nuk mund të prognozoj sa edhe pse me të vërtetë kemi numër shumë të madh të lëndëve të trashëguara nga EULEX-i si dhe të raportuara pas marrjes së kompetencave nga Prokuroria vendore ku viktimat e krimeve të luftës ndiheshin më të lirë të raportojnë krimin para prokurorëve vendorë”, tha Hajdari.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti dy aktakuza në mungesë kundër të pandehurve Ç.A. dhe D.R. – të dyshuar për krime lufte në Kosovë, gjatë vitit 1999.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë civilë, dhunuar seksualisht 20 mijë gra e burra, ndërkaq ende mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur me forcë.