SBASHK nuk lejon testim të përgjithshëm të mësimdhënësve – pajtohet sipas dëshirës të pajisen me ‘licencë të avancuar’

0
109
Foto: Arkiva

Ministria e Arsimit thotë se gjatë javës së ardhshme do të hapet mundësia për aplikim për mësimdhënësit që duan t’i nënshtrohen provimit kualifikues për t’u pajisur me licencë të avancuar.

Procesi i paraparë për muajin qershor pritet të nisë në muajin gusht. Ndërkohë SBASHK-u thotë se në këtë pikë pajtohet me ministrinë e arsimit, po nënvizon se nuk do të lejohet testimi i përgjithshëm i mësimdhënësve.

Njohës të fushës së arsimit kanë shtruar dilemat për mënyrën e zhvillimit të procesit dhe nga kush do të përzgjidhen mësimdhënësit që duan avancim në karrierë.

Aplikimi për mësimdhënësit të cilët duan të avancohen në karrierë dhe të pajisen me licencë të avancuar, nuk nisi sipas parashikimeve por i njëjti pritet të zhvillohet brenda pak ditësh, pavarësisht dilemave që ka ngritur.

Licenca e avancuar do të sigurojë pagë më të lartë për mësimdhënësit që do t’i nënshtrohen procesit.

“Grupi punues tashmë ka finalizuar Draft-manualin për licencimin e mësimdhënësve dhe në veçanti për licencën e avancuar. Këtë javë do të hapet faqja me të gjitha të dhënat për aplikim. Aplikimi do të bëhet në platformën e-Kosova. E gjithë kjo në funksion të një sistemi të qëndrueshëm të licencimit për mësimdhënësit”, kanë thënë nga MASHTI për rtv21.

I gjithë procesi u bazua mbi një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit të vitit 2023 dhe u ndërlidh me licencën e karrierës, të cilin e ka çdo mësimdhënës i cili kalon me sukses vlerësimin nga shkolla, pra nga drejtori, kolegët e tij dhe nxënësit.

Ky proces është përkrahur nga Sindikata e Bashkuar Arsimit dhe kryetari i saj Rrahman Jashari, i cili thotë se janë pajtuar me ministren që ky testim të bëhet për mësimdhënësit që duan ta sfidojnë vetën.

Po Jashari tha se SBASHK-u nuk do të lejojë testim të njohurive për mësimdhënësit.

“Pra ky është një testim për ata që dëshirojnë të ngritën në karrierë besojmë se do të kenë edhe një ngritje page, pra nga licenca e punës ata do të kalojnë në licencë të avancuar ndërkohë SBASHK-u nuk do të lejojë në asnjë formë që të testohen kolegët tanë në mënyrë të përgjithshme por për këtë formë kemi gjetë pajtueshmëri pra jemi në rregull kush dëshiron ta sfidoj vetën po e themi sfidë është i lirë ta bëjë”, tha Jashari.

Testimi për licencë të avancuar fillimisht do të zhvillohet për mësuesit klasorë dhe për ata të gjuhës shqipe dhe të matematikës.

Mësimdhënësit do të testohen për njohuritë e tyre lidhur me lëndët që japin dhe mënyrës se si e zhvillojnë mësimin. Në këtë rrafsh ish-zëvendës ministri i arsimit, Azem Guri, thotë se është e paqartë se si do të zhvillohet procesi pasi që testimet për dijen e mësimdhënësve i kanë kryer universitetet dhe stafi akademik. Ai gjithashtu ka dilemat se kush do t’i udhëheqë këto procese.

“Kam dilemat e mija sepse është e paqartë kush do t’i testojë mësimdhënësit, kush do t’i përzgjedhë ata për tu testuar, tjetra është se këtu thotë testimi do të bëhet me një akt të veçantë pra nuk po shpjegohet se cili është akti i veçantë”, tha Guri.

Mësimdhënësit të cilët marrin licencën e avancuar pas 7 vjetëve mund të aplikojnë për licencë të përhershme e cila nuk ka një afat të caktuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here