Sarrazin: Nuk ka entuziazëm të madh për raundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi

0
161

I Dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se nuk ka entuziazëm të madh për rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sarrazin është shprehur se duhet qenë optimistë se do të bëhet një hap i vogël përpara në drejtim të zgjidhjes së çështjeve aktuale, teksa ka thënë se mezi ka pritur të ketë sërish takime të nivelit më të lartë në dialog.

“Nuk ka entuziazëm të madh se do të ndodhë një përparim i madh, bëhet fjalë për hapa konkretë rreth deeskalimit në veri të Kosovës, për të hapur derën dhe për të filluar në një rrugë pozitive. Duhen lajme të mira në rajon”, ka thënë ai në N1.

Zyrtari evropian ka thënë se plani i deeskalimit të BE-së është që të dyja palët të shkojnë drejt tërheqjes së forcave policore, zgjedhjeve për kryetarë të rinj në katër komuna në veri të Kosovës.

Sarrazin ka theksuar se kryetarët e Komunave, duhet t’u shërbejnë qytetarëve të thjeshtë.

“Ne do të shohim se sa larg mund të shkojmë, por është e rëndësishme të fillojmë të punojmë përsëri për të”, tha Sarrazin, duke theksuar se si diplomat ai duhet të jetë optimist ndonjëherë.

Duhet të përpiqemi të jemi optimistë, të nisemi nga fakti se nesër do të bëhet një hap i vogël në drejtim të zgjidhjes së çështjes”, theksoi ai.

Zgjidhjen e dialogut ai e sheh vetëm përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjes së Ohrit.

“Mendoj se është e qartë se bashkësia ndërkombëtare pret që pala kosovare të ecë përpara dhe se Asociacioni do të krijohet siç është rënë dakord, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Sarrazin.

“Presioni politik për të arritur de-përshkallëzimin është shumë i lartë, të dyja palët duhet të dëshmojnë se do të japin diçka,” tha ai.

Sipas tij, absolutisht më e rëndësishme është që jeta në veri të Kosovës të normalizohet, të përfundojë frika se do të ketë dhunë, njerëzit e zakonshëm t’i kthehen jetës normale, veçanërisht në katër komunat me shumicë serbe.

Ndryshe, Shërbimi Evropian për Politikë të Jashtme ka njoftuar se nesër (e enjte) nga ora 09:00 do të nis raundi i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku do të marrin pjesë Kurti dhe Vuçiq.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here