Kandidatja për deputete nga “Koalicioni për Familjen”, Afërdita Saramati ka ngritur çështjen e çmimeve të larta të barnave në nivel vendi.
Saramati ka thënë se pavarësisht ligjit për çmimin e produkteve medicionale që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, edhe më tutje qytetarët janë duke paguar çmime të larta për ti blerë ilaqet e nevojshme.
Reagimi i plotë:
Kush paguan çmimin e barnave të premtimeve tuaja?
Ligji për Çmimin e Produkteve Medicinale, i miratuar me bujë më 13 korrik 2023, u proklamua si shpëtim për xhepat e qytetarëve dhe si mjeti i vetëm për t’i dhënë fund abuzimeve të pafundme me çmimet e barnave. Por çfarë ka ndodhur që nga ajo ditë? Pse qytetarët tanë vazhdojnë të përballen me çmime të papërballueshme? A është ky një ligj i hartuar për të shërbyer qytetarin, apo një tjetër instrument elektoral për qeverinë?
Në letër, gjithçka duket premtuese. Ligji hyri në fuqi më 18 gusht 2023, por nuk po zbatohet. A ka ndonjë arsye për këtë zvarritje? Pse një qeveri që pretendon të jetë në shërbim të qytetarit, nuk ndërmerr hapa urgjentë për t’i dhënë fund abuzimit me çmimet, por e zgjat procesin derisa koha të përputhet me nevojat elektorale?
Kryeministri pati deklaruar: “Nuk mjafton që barnat të jenë në raftet e barnatoreve, nëse nuk janë në sirtaret e shtëpive tona. Na duhen të dyja, pa kursyer shëndetin dhe duke kursyer xhepin.” Por a ka kursimi i xhepit të qytetarëve vlerë vetëm si slogan elektoral?
Kjo qeveri premtoi ndryshim, por a është ky ndryshimi që na u premtua? Pse ligji për çmimin e barnave duket më shumë si një strategji marketingu sesa një reformë e mirëfilltë? Pse fushata zgjedhore duket se vlen më shumë sesa jeta dhe mirëqenia e qytetarëve?
Nëse një qeveri nuk mund të zbatojë një ligj bazik për t’i mbrojtur qytetarët nga abuzimet, si mund të pretendojë të jetë garantuese e barazisë, drejtësisë dhe dinjitetit? Zgjedhjet po afrojnë, por qytetarët e Kosovës kanë një pyetje për ju: A jemi ne vetëm vota në kutitë tuaja, apo njerëz që meritojnë një jetë më të mirë?
Eman Rrahmani 1
Afërdita Saramati 12