Saramati: Do të jem zëri i pensionistëve dhe invalidëve të punës në kuvend

0
40

Afërdita Saramati, kandidate për deputete nga Koalicioni për Familjen, gjatë vizitës së saj së bashku me disa kandidat për deputet në Organizatën Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren, u takua me disa nga ish-punëtorët që dikur ishin shtylla të ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.

Ajo theksoi se këta njerëz nuk kërkojnë lëmoshë, por drejtësi, një të drejtë që u është mohuar për dekada. Saramati tha se do të jetë zëri i tyre në kuvend.

Postimi i plotë:

Nëse ka një pasqyrë që na shfaq të vërtetën e shoqërisë sonë, ajo është gjendja e gjeneratave të kaluara. Ata që ndërtuan këtë vend, që sakrifikuan rininë dhe fuqinë e tyre në fabrika, shkolla, spitale e në çdo cep të jetës publike, sot janë të harruar.

Gjatë vizitës sonë në Organizatën Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren, u takuam me disa nga këta burra e gra që dikur ishin shtylla të ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë sonë. Sot ata nuk kërkojnë lëmoshë, por drejtësi – një të drejtë që u është mohuar për dekada.

Kërkesat e tyre?

Formimi i një Fondi Pensional që do t’u siguronte stabilitet financiar në pleqëri.

Sigurimi shëndetësor dhe social, sepse askush nuk duhet të jetojë me frikën se një ditë spitali do t’i kërkojë para që nuk i ka.

Eliminimi i kufirit absurd prej 15 vitesh për pensionim, një pengesë burokratike që i përjashton padrejtësisht nga përfitimet e merituara.

Pranimi i stazhit të viteve 1990-1999, një periudhë kur ata punuan dhe sakrifikuan për të mbajtur këtë shoqëri gjallë, ndërsa shteti sot ua mohon atë kontribut.

Shfuqizimi i detyrimit absurd për të lajmëruar çdo gjashtë muaj në gjendjen civile se janë ende gjallë.

Por çfarë tregon kjo për ne?

Tregon që kemi një ndërgjegje të vrarë. Nëse një shoqëri matet nga mënyra se si trajton më të moshuarit dhe më të dobëtit, atëherë ne kemi dështuar rëndë.

Unë u premtova atyre se do të angazhohem me të gjitha forcat për t’i bërë kërkesat e tyre realitet, jo vetëm sepse është e drejtë, por sepse është borxhi ynë moral ndaj tyre.

Eman Rrahmani 1✔️

Aferdita Saramati 12✔️

#koalicioniperfamiljen 129✔️

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here