Samiti në Shkup, deklaratat e liderëve dhe paralajmërimi amerikan për vendet që pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së

0
165

Gjatë ditës së djeshme, në Shkup u takuan drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi Planin e Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian që u ofron këtyre vendeve një fond prej gjashtë miliardë eurosh.

Në takim ishte i pranishëm Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien dhe zyrtarë të lartë të BE-së.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur gatishmëri për t’i zhvilluar vendet e tyre sipas standardeve evropiane për një qëllim të caktuar – anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kështu është thënë në deklaratën e miratuar në fund të konferencës “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”.

Përgjatë konferencës, liderët janë paralajmëruar që nuk do të mund t’i vendosin njëri-tjetrit veto përgjatë procesit, dhe nëse ka tendenca të tilla, do të ndëshkohen.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara.

Zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.

O’Brien ka thënë se mbështetet nismën e një tregu të lirë mes vendeve të rajonit, duke përmendur pengesat që kanë pasur deri më tani bizneset nga ndalesat e shumta kufitare.

Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.

“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.

Ndërkaq, Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara.

“Ne i kemi përveshur mëngët që t’ju ndihmojmë. Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin. Pikërisht, logjika thotë se ne do t’ju ndihmojmë që të integroheni mes vete, nëse ju integroheni në tregun e brendshëm. Vlerësoj se kjo është e një rëndësie absolute, sepse pa një integrim të tillë në rajon, ju thjesht nuk do të mund të shfrytëzoni mjaftueshëm përfitimet nga tregu i brendshëm. Këto janë dy çështje që shkojnë bashkë andaj kemi vendosur një kusht në këtë plan të rritjes e që thotë se ju nuk duhet të bllokoni fqinjët e juaj. Duam të vini me ne. Nëse nuk i bllokoni fqinjët, do t’ju pranojmë, por nëse i bllokoni atëherë nuk do të kemi qasje në tregun e brendshëm, pasi shpenzimet e brendshme nga mosbashkëpunimi janë shumë të mëdha”, ka deklaruar Kopman në konferencë.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian është qëllimi dhe fati i Kosovës dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara.

Kurti është shprehur të hënën se Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mundësojnë sa më shumë bashkëpunim rajonal dhe “ecje më të përshpejtuar drejt BE-së që është qëllimi e fati ynë”.

Sipas Kurtit, Brukseli e Washingtoni janë të angazhuara me Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike.

“Brukseli dhe Washtingoni bashkë me Ballkanin Perëndimor në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë. Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e BE-së duhet të jetë edhe financiare”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë.

“Kosova sot do të dorëzoj listën e reformave të diskutuara e në ditët në vijim do të dorëzojmë listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave në qendër kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, kurse të projekteve kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimin në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturore”, tha Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nisma e vendeve të Ballkanit Perëndimor është mundësi e mirë që nuk duhet humbur, derisa ka shtuar se “është kruciale që t’i vendosim qytetarët tanë në rend të parë”. “Është kruciale dhe nëse mund ta bëjmë në kohë reale për t’u realizuar gjërat në muajt e ardhshëm që t’i definojmë se si do të duken vendet tona”, tha Rama.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për mikpritje. Ai ka thënë se kanë pasur dhe do të kenë takime të rëndësishme për përparimin e Ballkanit Perëndimor. Ka thënë se është biseduar me përfaqësues evropian e amerikan për planin e rritjes. Vuçiq ka thënë se është me rëndësi inkuadrimi në Tregun e Përbashkët. Ndërkohë ka folur edhe se do të nënshkruhen më 1 mars dy protokolle në kuadër të “Ballkanit të Hapur” që kanë për qëllim lëvizjen e lirë të punëtorëve.
“Ne kemi biseduar edhe për planin e zgjerimit të BE-së. Kemi biseduar për kushtet që duhet plotësuar dhe reformat”, ka thënë Vuçiq.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, për periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro. /Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here