Samiti i liderëve të BE-së në një “moment vendimtar”, pritet vendimi për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnjë dhe Hercegovinën

0
155

Liderët e BE-së po takohen në Bruksel për një samit dyditor dhe temat kryesore do të jenë mbrojtja, zgjerimi, migrimi dhe politika e jashtme. Evropa po përballet me një moment vendimtar, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në ftesën e tij drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive.

Një çështje e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka të bëjë me Bosnje-Hercegovinën, pasi pritet që në samit të merret një vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me këtë vend, raporton Euronews.

“Në vitin e tretë të agresionit rus kundër Ukrainës, ne po përballemi me një moment vendimtar. Urgjenca në vendimmarrje, intensiteti dhe vendosmëria e palëkundur janë të domosdoshme. Detyra jonë kryesore është të ofrojmë shpejt ndihmë ushtarake për Ukrainën, por gjithashtu të prokurojmë dhe dorëzojmë shpejt municioni, siç është rasti me iniciativën e fundit të Republikës Çeke”, tha Mishel.

Ai shtoi se në samit, liderët duhet të fokusohen në zbatimin efektiv të sanksioneve kundër Rusisë dhe në avancimin e përpjekjeve për të përdorur fitimet e papritura nga asetet e ngrira ruse.
Përveç kësaj, ai tha se samiti do të fokusohet në mbrojtjen, Lindjen e Mesme dhe bujqësinë.

“Ne duhet të ndihmojmë industrinë e mbrojtjes të aksesojë fondet private dhe publike dhe të zvogëlojmë barrën rregullatore. Ndërtimi i një mendësie strategjike të sigurisë kërkon udhëheqje të fortë dhe një kuptim të mirë të urgjencës së kërcënimeve me të cilat përballemi. Pres që Këshilli Evropian t’u përgjigjet këtyre detyrave” ka shkruar Michel.

A do të marrë Bosnja dhe Hercegovina “dritën jeshile”

Një nga temat e rëndësishme në samitet e fundit është zgjerimi i Unionit. Udhëheqësit e bllokut kanë në dorë nëse do të nisin hapat e ardhshëm drejt pranimit të Ukrainës dhe Moldavisë ose të presin me këtë çështje derisa të mbarojnë zgjedhjet evropiane. Gjithashtu, në tavolinë do të jetë edhe progresi i Bosnjë-Hercegovinës.

Pritet që zyrtarët më të lartë të vendeve anëtare të BE-së të marrin raportin me shkrim të Komisionit Evropian për Bosnje-Hercegovinën, si dhe vlerësimet gojore për Ukrainën dhe Moldavinë.

Sipas versionit të fundit të draft-konkluzioneve të datës 19 mars, pritet që të merret vendimi për hapjen e negociatave me Bosnje-Hercegovinën. /Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here