Samiti Brdo-Brijuni fillon sot në Durrës, Kosovën e përfaqëson Osmani

0
65

Qyteti bregdetar i Durrësit sot pritet të mirëpresë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Iniciativës Bërdo-Brioni, i cili do të fokusohet në perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Samiti mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së” dhe organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, ndërsa drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në qendër të diskutimeve do të jetë “Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor”, një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, që synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.

Pjesëmarrja e lartë rajonale

Në takimin e rëndësishëm në Shqipëri është konfirmuar pjesëmarrja e të gjithë anëtarëve të Iniciativës (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia).

Midis udhëheqësve të pranishëm do të jenë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiçq, si dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Iniciativa Brdo-Brioni synon të lehtësojë përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Shpërndarja e fondeve

Një nga pikat kryesore të samitit në Durrës është Plani i Rritjes i BE-së, për të cilin Bashkimi Evropian ka krijuar një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027. Këto fonde synojnë të përshpejtojnë reformat dhe të nxisin konvergjencën ekonomike të rajonit me BE-në.

Shpërndarja e fondit për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të jetë si vijon:

Shqipëria: Mbi 920 milionë euro

Serbia: Mbi 1.5 miliard euro

Bosnja dhe Hercegovina: Rreth 900 milionë euro (pas uljes me 10% për shkak të vonesave në plan)

Kosova: 880 milionë euro

Maqedonia e Veriut: Mbi 750 milionë euro

Mali i Zi: 380 milionë euro

Historiku i iniciativës Brdo-Brioni

Iniciativa Brdo-Brioni, e cila synon nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimin evropian, mbahet çdo vit që nga themelimi i saj në vitin 2013. Vitin e kaluar, Samiti u zhvillua në Mal të Zi. Atje, udhëheqësit u angazhuan për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma të mëtejshme, dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për rajonin. Takimi i këtij viti në Durrës pritet të vijojë me të njëjtin zotim, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit ekonomik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here