Dëbora Sallauka, kandidate për Kuvendin Komunal të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, gjatë një takimi me gratë prizrenase, ku mori pjesë edhe kandidati për kryetar të Komunës, Artan Abrashi, ka thënë se do të angazhohet për fuqizimin e grave dhe vajzave, shkruan 04 Online.
“Bashkë fuqizojmë gruan, bashkë fuqizojmë Prizrenin! 365 ditë në vit, me përkujdesje, respekt dhe mbështetje për to, ndërtojmë një Prizren më të barabartë e më të fortë,” tha Sallauka.
Ajo premtoi se në Kuvend do të jetë zëri i grave dhe vajzave që kërkojnë një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë.
Sallauka theksoi disa nga prioritetet e saj, duke përfshirë mbështetjen për punësimin e grave dhe fuqizimin e bizneseve të tyre përmes granteve dhe subvencioneve komunale, krijimin e më shumë trajnimeve dhe aftësimeve profesionale, që vajzat e reja të gjejnë perspektivë në Prizren, kujdes shëndetësor më cilësor dhe më të qasshëm për nënat dhe gratë, dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje.
“Prizreni ka nevojë për fuqinë dhe mençurinë e grave. Bashkë do ta bëjmë qytetin tonë më të drejtë, më të barabartë dhe më të zhvilluar. Me Artan Abrashin kryetar, kujdesi për gratë do të jetë 365 ditë në vit,” shtoi Sallauka, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve me numrin 20 në fletëvotim.