Kosova dje ka mbajtur zgjedhjet parlamentare në të cilat morën pjesë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.
Të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë kishin 1 milion e 970 e 944 persona, prej të cilëve kanë marrë pjesë rreth 40 për qind.
Ndërsa tash dihen edhe rezultatet preliminare bazuar në numërimin e 99.17% të votave. Sipas tyre zgjedhjet i ka fituar LVV me 40.83% të votave, e pasuar nga PDK me 22.15 dhe LDK me 17.59% të votave.
Për zgjedhjet në Kosovë ka reaguar edhe Sali Berisha.
“Të dashur miq, qytetarët e Kosovës votuan dje në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare për përfaqësuesit e tyre. Votimi, administrimi i procesit dhe dalja e rezultatit ishin një model frymëzimi”.
Reagimi i plotë i Sali Berishës:
Kosova votoi! Kosova frymëzon!
Të dashur miq, qytetarët e Kosovës votuan dje në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare për përfaqësuesit e tyre. Votimi, administrimi i procesit dhe dalja e rezultatit ishin një model frymëzimi.
Në zgjedhjet e djeshme, Partia e Vetëvendosjes mori 41% të votave, Partia Demokratike e Kosovës mori 22,16% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës mori 17,60% të votave. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët mori 7,46%, Lista Serbe 4,43% dhe Koalicioni për Familjen 2,26%.
Me këtë rast uroj përzemërsisht qytetarët, forcat politike, drejtuesit dhe të zgjedhurit e Kosovës, si dhe administruesit e këtij procesi dinjitoz, që nderon lirinë e votës dhe demokracinë. Gjithashtu, uroj fituesin e këtyre zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosja.