Kandidati për Kuvendin Komunal të Prizrenit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Hasan Sagdani, ka folur për nevojën e një qasjeje gjithëpërfshirëse në luftimin e fenomenit të emigracionit, duke theksuar se zhvillimi ekonomik mbetet faktor kyç, por jo i mjaftueshëm për ta ndalur atë, shkruan 04 Online.
Sipas Sagdanit, zhvillimi ekonomik është një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikon në uljen e emigracionit, pasi kur qytetarët kanë punë të qëndrueshme, paga të denja dhe kushte më të mira jetese, motivimi për t’u larguar bie ndjeshëm. Ai thekson se një ekonomi e fortë krijon më shumë vende pune, përmirëson standardin e jetesës, ul varfërinë dhe pabarazitë, si dhe nxit investimet dhe inovacionin.
Megjithatë, Sagdani thekson se zhvillimi ekonomik nuk është i vetmi faktor. Ai shpjegon se ekzistojnë edhe arsye të tjera që ndikojnë në vendimin e qytetarëve për të emigruar, si mungesa e besimit në sistemin politik dhe drejtësinë, mungesa e arsimit cilësor dhe mundësive për të rinjtë, aspiratat personale për përvoja të reja, si dhe korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë.
Për të frenuar migrimin masiv, Sagdani propozon një qasje të integruar, e cila përfshin zhvillim ekonomik real dhe të qëndrueshëm, sundim të ligjit dhe transparencë, arsim modern të lidhur me tregun e punës, përfshirje të të rinjve në vendimmarrje dhe ndërtim të besimit në institucione.
Ai thekson se vetëm me këto politika të kombinuara mund të ndërtohet një ambient i qëndrueshëm, ku qytetarët e Prizrenit dhe të Kosovës do të zgjedhin të ndërtojnë jetën e tyre në vendin e tyre.