SafeJournalists thotë se mbyllja e TikTokut rrezikon lirinë e shprehjes

0
43

Rrjeti evropian për sigurinë e gazetarëve, Safe Journalists, ka ngritur shqetësim nëse ndalimi i rrjetit social TikTok në Shqipëri rrezikon lirinë e shprehjes.

Ky rrjet ka thënë të mërkurën se liria e shprehjes është gurthemel i demokracisë, derisa iu ka bërë thirrje autoriteteve të Shqipërisë të rishqyrtojnë qasjen aktuale dhe të fokusohen në një zgjidhje që balancon sigurinë me mbrojtjen e lirive themelore.

SafeJournalists tha se po i ndjek nga afër zhvillimet pas vendimit të kryeministrit Edi Rama që rrjeti kinez të mbyllet nga 2025-ta për një vit. Ai rekomandoi që të respektohen standardet e autoritetit të rregullimit të platformave digjitale në Shqipëri.

“Rrjeti SafeJournalists po ndjek nga afër këtë zhvillim dhe thekson rëndësinë e trajtimit të sjelljeve të dëmshme në internet në mënyra që mbështesin parimet demokratike, duke përfshirë të drejtën për lirinë e shprehjes. Platformat e mediave sociale janë bërë pjesë përbërëse e diskursit publik modern dhe çdo kufizim duhet të konsiderohet me kujdes, për të siguruar që ato të mos cenojnë të drejtat themelore ose të krijojnë një precedent për censurë arbitrare”, thuhet në reagim.

Vendimin për mbyllje, Rama e mori pasi një i mitur u vra me thikë nga shoku i tij në Tiranë, e kjo u tha se ishte nxitur nga TikToku. Kompania kineze ka dalë me reagim, duke thënë se s’ka gjetur asnjë provë që autori i vrasjes apo viktima kishin llogari në TikTok.

Reagimit të TikTokut i është kundërpërgjigjur Rama, duke thënë se për këtë vendosin autoritetet shqiptare, e jo ky rrjet kinez.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here