Për shumicën prej nesh, tre vakte në ditë janë bërë normë: mëngjesi për të nisur ditën, dreka për të pushuar nga puna, dhe darka për t’u mbledhur me familjen. Por a është kjo mënyra më e shëndetshme e të ushqyerit? Apo është thjesht një zakon modern i lidhur me ritmin e jetës urbane?
Në të vërtetë, ideja e të ngrënit tre vakte fikse në ditë është relativisht e re në historinë njerëzore. Para revolucionit industrial, njerëzit hanin më rrallë – kur ushqimi ishte i disponueshëm ose kur ndiheshin të uritur. Historianët e ushqimit theksojnë se edhe romakët e lashtë hanin zakonisht një vakt të vetëm në ditë, rreth mesditës. Frigoriferët, supermarketet dhe oraret fikse të punës kanë standardizuar zakonet tona ushqimore, por nuk janë detyrimisht në harmoni me nevojat biologjike të trupit.
Një alternativë që po fiton popullaritet është agjërimi me ndërprerje, ku konsumi i ushqimit kufizohet brenda një dritareje kohore prej 8-12 orësh gjatë ditës. Kjo praktikë po mbështetet gjithnjë e më shumë nga shkenca.
Sipas studimeve të fundit, përfshirë ato nga Instituti Salk në Kaliforni, i dhënia trupit të paktën 12 orë pa ushqim çdo ditë ndihmon në:
1.Pushimin e sistemit tretës
2.Uljen e inflamacionit
3.Aktivizimin e mekanizmave të riparimit të trupit
4.Përmirësimin e kontrollit të glicemisë (sheqerit në gjak)
5.Reduktimin e ruajtjes së yndyrës
Agjërimi gjithashtu është më i përputhshëm me mënyrën se si kanë evoluar trupat tanë – duke alternuar periudha të ushqimit me periudha pa ushqim, kur energjia merrej nga rezervat e trupit.
Një apo tri vakte në ditë?
Disa ekspertë, si profesori David Levitsky nga Universiteti Cornell, e praktikojnë dhe rekomandojnë vetëm një vakt në ditë, duke argumentuar se sa më shpesh që kemi ushqim përpara vetes, aq më shumë hamë, shpesh pa e kuptuar. Ai thekson se uria është kryesisht psikologjike, dhe në shumicën e rasteve, ne hamë sepse ‘është ora për të ngrënë’, jo sepse kemi nevojë.
Megjithatë, kjo nuk funksionon për të gjithë. Studiuesja Emily Manoogan paralajmëron se ngrënia vetëm një herë në ditë mund të çojë në rritje të glukozës esëll, një faktor rreziku për diabetin e tipit 2. Në vend të kësaj, ajo dhe ekspertë të tjerë rekomandojnë dy deri në tre vakte në ditë, të përqendruara më herët gjatë ditës.
Një aspekt i rëndësishëm që shpesh neglizhohet është koha e ushqimit. Studimet tregojnë se trupi përpunon më mirë kaloritë në mëngjes dhe në mesditë sesa në mbrëmje. Kjo lidhet me ritmin cirkadian, orën biologjike që ndikon në mënyrën se si trupi prodhon dhe përdor insulinën. Prandaj, nuk është e këshillueshme të hani menjëherë sapo të zgjoheni; është më mirë të prisni një ose dy orë, në mënyrë që trupi të përfundojë ciklin natyror të agjërimit dhe të fillojë më qetësisht përpunimin e ushqimit. Gjatë ditës, është më e shëndetshme që pjesa më e madhe e kalorive të konsumohet në orët e paradites dhe në drekë, kur metabolizmi është më aktiv dhe trupi është më i gatshëm të përdorë energjinë në mënyrë efikase. Nga ana tjetër, duhet shmangur të ngrënit në orët e vona të natës, pasi prodhimi i insulinës është më i ulët dhe glukoza përpunohet më ngadalë, gjë që mund të çojë në rritje të niveleve të sheqerit në gjak dhe ruajtje më të madhe të yndyrës.
Por sa vakte janë ideale për dietën?
Nuk ka një numër specifik vaktesh që i përshtatet të gjithëve, por shumica e studimeve dhe ekspertëve bien dakord se të konsumosh 2 deri në 3 vakte në ditë, brenda një dritareje kohore të kufizuar prej rreth 8 deri në 10 orë, është më e favorshme për shëndetin metabolik. Është e preferueshme që mëngjesi dhe dreka të jenë vakte më të plota dhe më të pasura, ndërsa darka duhet të jetë më e lehtë dhe të konsumohet më herët në mbrëmje. Gjithashtu, agjërimi me ndërprerje, kur praktikohet në mënyrë të moderuar, mund të sjellë përfitime të rëndësishme për trupin, duke përmirësuar kontrollin e sheqerit në gjak dhe funksionet rigjeneruese të organizmit.