Sa kushton Viti i Ri?! Ekonomistët tregojnë sa e qysh (duhet të) shpenzohet

0
261

31 dhjetori në mbarë botën shënon fundin e vitit dhe fillimin e të riut.

Cakërrimet e gotave shoqërojnë urimet, deri në mesnatë kur qielli të marrë ngjyrë.

Kjo ndodhë edhe në Kosovë, ku festimet bëhet në forma të ndryshme. Dikush zgjedh shtëpinë e të tjerë ambiente të ndryshme. Sidoqoftë emëruesi i përbashkët i të gjithave është FESTA.

Për dallim nga të tjerët, ekonomistët flasin pa ngurrim edhe për koston që ka kremta.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa tha se kosto mesatare për një familje pesëanëtarshe është afër 200 euro.

“Sa i përket shportës se sa para do të duhej për një person për të shpenzuar që të festojë Vitin e Ri, mesatarisht është 36 euro, apo sa një meny mesatare që e ka koston e çmimit në restorantet tona në Kosovë, për një familje pesë anëtarëshe 180 euro”, shprehet ai.

Sipas Bellaqës një çmim i tillë nuk ka qenë para inflacionit, pasi që atëherë ka qenë kosto gati përgjysmë më e lirë.

“Ndikim ka inflacioni sepse para dy vjetësh me 20 euro, për person do t’i kishin blerë këto produkte që tash kushtojnë 36 euro”.

Ai mes tjerash tha se shteti duhet të kontrollojë çmimet, në mënyrë që bizneset të mos abuzojnë me to.

“Duhet të bëhet e qartë se në ekonominë e tregut vepron ‘dora e fshehtë’ e Adam Smithit, andaj shteti duhet të veprojë me politika fiskale, monetare dhe financiare, që ekonomia mos të dalë nga shtrati i vet dhe jashtë rrjedhave normale”.

Remzi Smajli, njohës i ekonomisë shpenzimet për Vitin e Ri i ndan në katër kategori.

“Shpenzimet e zakonshme, plotësuese, shpenzimet e mjeteve piroteknike, dhe shpenzimet ekstra të hotelit”.

Ai tha se shpenzimet e zakonshme për një individ arrijnë deri në 8 euro, ndërsa ato plotësuese deri në 12.

Kurse ato të mjeteve piroteknike ai tha se kushtojnë deri në 5 euro për person, ndërsa shpenzimet ekstra të hotelit për pritjen e Vitit të Ri 30 euro për person.

“Ushqimet e përfshira për festën e Vitit të Ri, përveç ushqimeve të zakonshme bukë, vaj, sheqer, kripë, sallatë, uji, do të përdoren edhe ushqime ekstra, mish pule, mish gjedhi, peshk, ëmbëlsira si dhe pije joalkoolike dhe ato alkoolike të shprehur me shumë gjatë festes si birrë, alkool, etj”.

Ai mes tjerash tha se për të shpenzuar sa më pak në këtë duhet pasur parasysh të mos merret kredi assesi. Smajli po ashtu tha se janë edhe disa strategji tjera për të arritur këtë.

“Strategji që mund të përdoren për familjet kosovare qëndron në këshillimin e prindërve për fëmijët për përdorimin më racional të mjeteve piroteknike, orientimi i prindërve për pritjen e Vitit të Ri në gjirin familjar dhe racionalizimin e shpenzimeve në përgatitjen e ushqimeve në shtëpi”.

“Një strategji afatgjatë për kursim është po që se qeveria merr vendim për organizimin e ndezjes së fishekzjarrëve në qendër të lokaliteteve komunale dhe ndërprerjen e importeve te fishekzjarrëve nga individët sepse blerjet e fishekzjarrëve në këtë vit arrijnë deri në 4 milionë euro”.

Se sa është kosto për të mbushur shportën e Vitit të Ri, një tjetër njohës i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, tha se nuk mund të japë një shifër.

“Si shifër nuk mund ta them, por si përqindje të pagës së kryefamiljarit mund të sillet 20 deri në 30 përqind, e cila e rëndon buxhetin e familjes”.

Ai tutje tha se edhe duke pasur parasysh këtë, kryefamiljari tenton që për familjen dhe fëmijët e tij të shpenzojë që ndërrimin e viteve ta festojnë në mënyrën më të mirë, me qëllimin që të jetë e mundur që kjo festë të jetë sa më e begatë.

Për shportën e kësaj feste ai tha se dominon ajo e konsumit, por nuk përjashtohet edhe tekstili.

Kadrijaj gjithashtu deklaroi se nuk ka dyshim që inflacioni e ka rënduar portofolin e qytetarit duke e përgjysmuar shportën e konsumit.

“Qytetarët me qëllimin për të qenë në nivel të njëjtë me rrethin dhe shoqërinë, tentojnë që tryezën ta begatojnë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe pse si sezon është koha më e papërshtatshme për shumicën e kryefamiljarëve sepse një pjesë e madhe e tyre punojnë në sektorin e ndërtimit, sektor ky i cili nuk punon në sezonin e dimrit dhe kjo e rëndon portofolin e kryefamiljarit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here