Rutte: Meritë e Trumpit që shtetet e NATO-s kanë rritur investimet për mbrojtje

0
37

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se është meritë e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, që shtetet anëtare të aleancës kanë rritur shpenzimet për mbrojtje. 

Trump gjatë mandatit të parë të tij si president i SHBA-së kishte insistuar që shtetet anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtje, ta kalojnë pragun e shpenzimit prej 2 për qind të bruto produktit vendor për mbrojtje. 

“Dua të uroj sërish presidentin Trump për rizgjedhje. Ishte sukses i madh për të. Kur ishte president ai na stimulojë të kalojmë pragun e shpenzimit të 2 për qind të GDP-së për mbrojtje. Falë tij, NATO është mbi dy për qind. Duhet të bëjmë më tepër, e kemi kuptuar këtë”, tha Rutte për gazetarët para Samitit të Komitetit Politik të Evropës. 

Ai ka folur edhe për rreziqet që po i kanosen botës. Rutte ka thënë se Rusia e ka furnizuar Korenë e Veriut me teknologji të reja, ndërsa kjo kërcënon tash territorin amerikan, Evropën, por edhe shtetet aleate në Indo-Paqësor, si Japoninë e Korenë e Jugut. Ai ka thënë se Koreja e Veriut, Irani, Kina dhe Rusia po punojnë së bashku. 

“Janë zhvillime shumë të rrezikshme. Duhet t’i diskutojmë këto”, tha ai. 

Rutte ka thënë se me Trumpin kishte punuar shumë mirë për 4 vjet. 

“Ai është i qartë në atë që do, e kupton se duhet të merremi me njëri-tjetrin për të arritur në një qëndrim të përbashkët. Mendoj se do t’ia dalim”, tha Rutte. 

Ai ka thënë se “s’guxon të lihet Rusia të fitojë në Ukrainë”, pasi do të ishte rrezik jo vetëm për Evropën por për gjithë botën. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here