Rusia ka paralajmëruar se do të detyrohet të marrë “masa hakmarrëse” për të adresuar ato që i quajti kërcënimet e sigurisë të krijuara nga anëtarësimi i Finlandës në NATO.
Ajo tashmë kishte paralajmëruar se do të forconte mbrojtjen përgjatë kufirit të saj me NATO-n nëse aleanca vendos ndonjë trupë ose pajisje shtesë në të, shkruan Euronews.
Kjo masë po konsiderohet si një goditje strategjike dhe politike për presidentin Vladimir Putin, i cili është ankuar prej kohësh për zgjerimin e NATO-s drejt Rusisë – megjithëse aleanca thotë se ajo nuk përbën kërcënim për Moskën.
“Federata Ruse do të detyrohet të marrë masa ushtarako-teknike dhe masa të tjera hakmarrëse për të kundërshtuar kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare që rrjedhin nga pranimi i Finlandës në NATO”, paralajmëroi Ministria e Jashtme në një deklaratë.
Ai tha se lëvizja e Finlandës shënon një ndryshim thelbësor në situatën në Evropën Veriore, e cila më parë kishte qenë një nga rajonet më të qëndrueshme në botë.