Trajneri portugez i Manchester United, Ruben Amorim, ka bërë një deklaratë befasuese që ka tërhequr vëmendjen e botës së futbollit. Në një prononcim për media, Amorim është shprehur i vendosur për të qëndruar në “Old Trafford” për dy dekada të plota, shkruan 04 Online.
“Dua të qëndroj te Man United për 20 vitet e ardhshme. Po, 20 vjet! Është objektivi im, qëllimi im. Mund ta bëj”, tha tekniku 39-vjeçar, duke treguar besim të palëkundur në projektin që po ndërton me “Djajtë e Kuq”.
Në një kohë kur klubi anglez po synon rikthimin në elitën e futbollit anglez dhe evropian, deklarata e Amorimit shihet si një sinjal i qartë i stabilitetit dhe vizionit afatgjatë që ai dëshiron të ndërtojë në “Teatrin e Ëndrrave”.
Me ambicie të mëdha dhe besim të fortë, Ruben Amorim synon të bëhet jo vetëm një trajner i suksesshëm, por edhe një figurë historike në klubin me traditë të pasur./04 Online