Rrjetet sociale po u bartin ankth e izolim fëmijëve

0
36

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani!, përkrahur nga WB Media for Change

Përdorimi i pakontrolluar i teknologjive nga të rinjtë është kthyer në problem për shkollat. Psikologët tregojnë raste kur nxënësit përjetojnë pasoja në shëndetin mendor, ndërsa drejtorë shkollash ankohen se shumë sherre që nisin në rrjete sociale, barten në ambiente ku zhvillohet mësimi. Përdorimin e pakontrolluar të teknologjisë nga fëmijët dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, profesionistë të shëndetit mendor e shohin si shkaktar për ankth, depresion e mungesë të aftësive sociale

Psikologia Tringa Visoka, çdo ditë vëren pasojat në shëndetin mendor që përdorimi i pakontrolluar i teknologjive, po lë te nxënësit.

Ajo tregon një nga rastet kur një fëmijë i shkollës fillore përjetoi ankth, pas ekspozimit ndaj përmbajtjeve jo të përshtatshme në rrjete sociale.

“Një vajzë, për shkak që ka parë video të shumta në internet, video që kanë promovuar kancerin, mënyrën qysh të mbrohemi prej kancerit të gjirit, ka filluar të ketë mendime që ‘unë në të ardhmen mund ta kem kancerin e gjirit’. Domethënë, për shkak të ekspozimit të tepërt ndaj teknologjisë dhe për shkak që ka qëndruar non-stop duke iu ekspozuar videove të tilla, ka kaluar në obsesione”, thotë psikologia Visoka.

Përdorimi i pakontrolluar i teknologjive është kthyer në problem për shkollat.

Nazif Jashari është drejtor i shkollës fillore “Asim Vokshi” në kryeqytet, dhe tregon se shumë sherre që nisin në rrjete sociale, po barten në shkollë.

“Fëmijët ose nxënësit po marrin fotografi të ndryshme në rrjete sociale dhe i postojnë nëpër mjete të ndryshme, sidomos në TikTok, që këto po na barten drejtpërdrejt te shkolla që nxënësit po ankohen se po i postojnë nëpër këto rrjete sociale, mirëpo pa e ditur se kush i ka postuar”, thotë drejtori Jashari.

Në një anketë të organizatës “Save the Children”, të publikuar gjatë javës, theksohet se 78 për qind e fëmijëve e identifikojnë rrjetin TikTok si hapësirë ku bullizmi ndodh shpesh ose gjithmonë. Kjo shpesh përcillet edhe me kriza në shëndetin mendor. 

Profesori i psikologjisë sociale në Universitetin e Prishtinës, Erëblir Kadriu, thekson se përdorimi i rrjeteve sociale po shkakton te fëmijët pasoja edhe në ndërveprim me bashkëmoshatarët.

“Përdorimi i tepërt i teknologjisë po ka ndërlidhje me këto paaftësitë sociale, të cilat nuk po zotërohen ashtu siç duhet në bazë të stadeve zhvillimore, pikërisht për shkak të nevojave që individët po i kanë online, përkundër përvojave që po i kanë, mungesës së përvojave fizike”, thotë profesori Kadriu. 

Kadriu tha se varësia në teknologji, po ndikon edhe në deficit të vëmendjes, në shtypje të zhvillimit të kuriozitetit e edhe aftësive kërkuese e hulumtuese për shkak të qasjes së lehtë dhe të shpejtë në informata.

Ndërkaq, psikiatrja e fëmijëve Adelina Ahmeti-Pronaj, si problem liston edhe autizmin virtual, i cili ndërlidhet me mbiekspozimin ndaj ekranit dhe shkakton izolim social, probleme në sjellje dhe zhvillim joadekuat emocional.

“Sigurisht që ekspozimi në moshat e hershme e privon rritjen dhe zhvillimin normal. Do të thotë, kemi rritje të numrit të fëmijëve, të cilët, tani me protokollet e diagnostikimit e DSM-5 te ne, e kemi autizmin virtual, do të thotë ekspozimi i tepërt, mundësia të ketë probleme neuro-zhvillimore është shumë e madhe. Tjetër, në psikopatologji, të cilat rrisin përkatësisht hiperaktivitetin, kemi edhe shkallën e rritjes së vetëlëndimeve te fëmijët, te adoleshentët, që është shumë brengosës modelimi i sjelljes”, ka thënë psikiatrja Ahmeti-Pronaj.

Shkaku i sfidave që të rinjtë nisin në rrjete sociale, në disa shkolla janë raportuar raste vetëlëndimi të nxënësve.

Sipas punonjësve shkollorë, e vetmja adresë për referimin e rasteve që mund të konsiderohen klinike është Klinika e Psikiatrisë që vepron në kuadër të Qendrës Klinike Universitare, e cila në sistemin shëndetësor në Kosovë është hallka e fundit e trajtimit të pacientit, e që është e destinuar për hospitalizim dhe mbajtje të pacientëve. 

Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk kanë psikologë klinikë. Kësisoj, adresë për fëmijët me probleme të shëndetit mendor janë psikologët shkollorë, që nuk janë të kualifikuar për trajtimin e rasteve klinike. E nëpër klinikat private, një seancë te profesionistët e shëndetit mendor kushton nga 30 deri në 60 euro.

Ministria e Shëndetësisë dhe as ajo e Arsimit nuk kthyen përgjigje në pyetjet që lidhen me mungesën e hallkave institucionale në trajtimin e problemeve të shëndetit mendor, sidomos për fëmijët, si dhe për hapat parandalues që kanë të bëjnë me edukim e vetëdijesim.

Në anketën e “Save the Children”, 26 për qind e fëmijëve u deklaruan se nuk dinë ku ta adresojnë depresionin dhe trishtimin, kur përballen me të.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here