Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar ditëve të fundit një paralajmërim për përhapjen e fruthit në Evropë.
IKSHPK njofton se numri i rasteve është rritur për 30 herë në muajt e fundit në rajonin evropian, që përbën një rritje shqetësuese, ndërkaq raste të fruthit janë regjistruar edhe në vendet e rajonit.
Instituti bën të ditur se në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara me fruth, por u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë.
“Në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara të fruthit, por Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës rithekson faktin se vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar fruthin dhe përhapjen e tij te njerëzit e tjerë, krahas masave të tjera të kujdesit.
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus dhe mund të çojë në komplikime të rënda dhe vdekje”, bën të ditur IKSHPK.
Instituti Kombëtar më tej thekson se pandemia e COVID-19 ka çuar në një rënie të vazhdueshme të mbulimit të vaksinimit dhe mbikëqyrje të dobësuar të sëmundjes në vende të ndryshme globalisht, gjë që ka rritur rrezikun e përhapjes së fruthit.
“Vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe ajo aplikohet në Kosovë që nga viti 1971. IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë Kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FIKSHPK%2Fposts%2Fpfbid02H81zLwV8T9712Lz6LVnDDxjKFMX8DQ5TiggjgrJW4LZhHu8qv3ZA66uLBtXhto5l&show_text=true&width=500