“Kënaqshmëria me performancën e kabinetit ekzekutiv është regjistruar në 45.8%, duke shënuar një rritje prej 4.8 pikë përqindjeje krahasuar me nëntorin e 2022”, thuhet në përmbledhjen e Pulsit Publik. “Kënaqshmëria me punën e kryeministrit kapi vlerën prej 51.5%, ngritje kjo për 6.6 pikë përqindje krahasuar me nëntorin e 2022”
Ka shënuar rritje kënaqshmëria në institucionet qendrore, ndërkaq ka pësuar rënie indeksi i demokratizimit, thuhet në përmbledhjen e Pulsit Publik që Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) e ka publikuar të martën.
Anketa e opinionit të Pulsit Publik është bazuar në intervistat e kryera në prill dhe paraqet gjetjet mbi dhjetë treguesit kryesorë që mbulojnë çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike, duke përfshirë drejtësinë tranzicionale.
Hulumtimi gjen rritje të kënaqshmërisë së të anketuarve me punën e të gjitha institucioneve qendrore të Kosovës. Mesatarisht 45,8 për qind të të anketuarve ishin të kënaqur me punën e tyre.
Puna e qeverisë e edhe e kryeminsitrit Albin Kurti ka shënuar rritje në mesatare prej më shumë se 5 për qind, krahasuar me anketën paraprake.
“Kënaqshmëria me performancën e kabinetit ekzekutiv është regjistruar në 45.8%, duke shënuar një rritje prej 4.8 pikë përqindjeje krahasuar me nëntorin e 2022”, thuhet në përmbledhjen e Pulsit Publik. “Kënaqshmëria me punën e kryeministrit kapi vlerën prej 51.5%, ngritje kjo për 6.6 pikë përqindje krahasuar me nëntorin e 2022”.
Bazuar në të, kënaqshmëria me punën e Kuvendit kapi vlerën prej 46.5 për qind, krahasuar me 39.1 për qind në nëntor 2022, ndërsa kënaqshmëria me kryetarin e Kuvendit të Kosovës ishte 58.3 për qind, krahasuar me 50.8 për qind në nëntor 2022.
E, kënaqshmëria më e lartë është në presidenten Vjosa Osmani.
“Niveli i kënaqshmërisë me Presidenten kapi vlerën 60.3%, krahasuar me 56.8% në nëntor 2022”, thuhet në përmbledhje.
Në kuadër të hulumtimit janë bërë pyetje edhe për drejtësinë tranzicionale.
“Të dhënat treguan se 58.4% e shqiptarëve të Kosovës dhe 70% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës besonin plotësisht ose besonin se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në jetën e tyre, ndërsa 24.8% e serbëve të Kosovës e besonin të njëjtën gjë”, thuhet në hulumtim.
Hulumtimi ka treguar se ka pasur rritje edhe në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, duke kapur vlerën prej 29 për qind për të dyja institucionet, krahasuar me 24.4 për qind, përkatësisht 22 për qind në nëntorin e vjetëm.
Ndërkaq, kënaqshmëria me drejtimin ekonomik kapi vlerën prej 17.79 për qind, duke u rritur për 6.97 pikë përqindje krahasuar me nëntorin e vitit të shkuar, kur ishte 10.82 për qind.
Por, ka një parametër që ka shënuar rënie. Është Indeksi i Demokratizimit (ID), i cili është ulur për 0.04 pikë (1.48) krahasuar me nëntorin 2022 kur kjo vlerë ishte 1.52 pikë.
“Megjithatë, u shënua rritje për 0.17 në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE), i cili kapi vlerën prej 1.03, krahasuar me 0.86 në nëntor 2022”, thuhet në përmbledhjen e Pulsit Publik. “Si ID-ja ashtu edhe IBE-ja maten në një shkallë nga 0 pikë (minimumi) në 3 pikë (maksimumi), ku vlerat nën 1.5 konsiderohen negative, ndërsa ato mbi 1.5 tregojnë qëndrim pozitiv të shumicës së qytetarëve në lidhje me indekset e demokratizimit dhe ekonomisë”.
Hulumtimi ka treguar se një numër dukshëm më i lartë i të anketuarve ishin të gatshëm të protestonin për arsye politike në prill 2023, krahasuar me nëntorin 2022.
“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike treguan se një numër më i madh i serbëve të Kosovës (40.5%) ishin të gatshëm të protestonin për arsye politike në krahasim me shqiptarët e Kosovës (28.5%) dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës (29.5%)”, është gjetja e hulumtimit.
Gjetjet tregojnë rritje të lehtë edhe për sa i përket ndjenjës së sigurisë tek të anketuarit, me 82.85 për qind që ndihen të sigurt kur janë jashtë. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë treguan se më shumë meshkuj (83.9%) sesa femra (81.7%) deklaruan se ndihen të sigurt dhe deridiku të sigurt kur janë jashtë.
Në anketë, papunësia (32.7%), varfëria (20.1%) dhe inflacioni (11.6%) janë renditur si tre problemet e natyrës më urgjente në Kosovë.
Të dhënat e Pulsit Publik kanë shënuar rënie të numrit të të anketuarve që perceptojnë se punësimi në institucionet publike të Kosovës bëhet në baza meritore. Vetëm 22 për qind e të anketuarve besojnë se punësimi në institucionet publike bëhet në baza meritore në prill 2023, krahasuar me 27 për qind në nëntor 2022.
Mesatarisht, 23.5 për qind e anketuarve kanë pohuar se e perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë, krahasuar me 21.1 për qind në nëntor 2022.
E, kur janë pyetur për të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër, gjithsej 14.5 për qind e të anketuarve pohuan se nuk kanë njohuri për këtë temë, dhe ky numër ka pësuar rënie që nga nëntori 2021 kur u shënua në vlerën prej 27.5 për qind, prilli 2022 me vlerën 18.5 për qind dhe nëntorin 2022 me 19.6 për qind. Gjithsej 38.3 për qind thanë se kishin pak njohuri për këtë temë, ndjekur nga 32.3 për qind që kishin njohuri mesatare për këtë temë dhe 14.9 për qind që kishin shumë njohuri për këtë temë./Koha.net