Rrëzohet miti i ‘tetë orë gjumë’!

0
92

Për dekada me radhë, këshilla e përsëritur si refren nga mjekët dhe ekspertët ka qenë e qartë: tetë orë gjumë në natë janë thelbësore për një shëndet të mirë. Por një studim i ri ndërkombëtar, i udhëhequr nga Universiteti i British Columbia, vjen për ta vënë këtë teori në pikëpyetje.

Duke analizuar të dhëna nga më shumë se 70 vende, studiuesit nxorën një përfundim befasues: nuk ka një lidhje të drejtëpërdrejtë mes orëve të gjumit dhe shëndetit të mirë. Në fakt, vendet ku njerëzit flenë më shumë nuk janë domosdoshmërisht më të shëndetshme, madje ndonjëherë ndodh e kundërta.

Një nga gjetjet më intriguese vjen nga Japonia. Pavarësisht se japonezët flenë më pak se shumica e kombeve të tjera, ata kanë jetëgjatësinë më të lartë në botë dhe tregojnë nivel të ulët të sëmundjeve të rënda kronike.

“Kam jetuar në Japoni për vite me radhë dhe gjithmonë më ka habitur sa pak gjumë bëjnë njerëzit atje,” thotë Steven Hine, profesor i psikologjisë dhe anëtar i ekipit kërkimor. “E megjithatë, janë ndër njerëzit më të shëndetshëm në botë.”

Nga ana tjetër, në disa vende ku gjumi është më i gjatë dhe më i zakonshëm, si disa rajone në Amerikën Latine, është vënë re një shkallë më e lartë e obezitetit dhe diabetit.

Në fazën e dytë të studimit, ku u përfshinë mbi 5,000 individë nga 20 vende të ndryshme, hulumtuesit shkuan përtej statistikave dhe panë ndjesinë personale të pushimit dhe perceptimin e gjumit cilësor. Rezultati ishte i qartë: cilësia e perceptuar e gjumit kishte më shumë ndikim në shëndet sesa kohëzgjatja reale.

Ata që deklaronin se kishin fjetur ‘mirë’ pavarësisht nëse kishin fjetur pesë apo tetë orë, tregonin shëndet më të mirë fizik dhe mendor. Ndërkohë, ata që flinin shumë, shpesh kishin shenja të fshehura të problemeve shëndetësore, si depresioni, apneja e gjumit apo sëmundjet metabolike.

Rritja e stresit, intensifikimi i jetës moderne dhe ekspozimi i zgjatur ndaj pajisjeve elektronike kanë bërë që gjithnjë e më shumë njerëz të vuajnë nga pagjumësia dhe çrregullimet e gjumit. Këto nuk janë vetëm problematika të ndara, por ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin kardiovaskular, sistemin imunitar dhe shëndetin mendor.

Studimi gjithashtu ngre një çështje që shpesh anashkalohet: pritjet kulturore për gjumin. Çfarë konsiderohet ‘normal’ ndryshon nga një vend në tjetrin. Në Japoni, njerëzit zgjohen herët dhe janë aktivë pavarësisht pak orëve të gjumit, ndërsa në shumë vende të Evropës Perëndimore, norma sociale është një gjumë më i gjatë dhe më i strukturuar.

“Kur njerëzit flenë në përputhje me ritmin kulturor të shoqërisë së tyre, ata kanë tendencë të ndihen më mirë dhe të jenë më të shëndetshëm,” thuhet në përfundimet e raportit.

Por ky studim tregon se ‘tetë orët e arta’ nuk janë zgjidhje universale. Përkundrazi, vëmendja duhet të përqendrohet në cilësinë e gjumit, ritmin e jetës, menaxhimin e stresit dhe përshtatjen me ritmin biologjik dhe kulturor të secilit individ.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here